FIFA: Kombëtarja e Kosovës me ngritjen më të lartë në renditjen botërore për vitin 2018

Faqja zyrtare e FIFA-s ka publikuar renditjen përfundimtare të kombëtareve për vitin 2018, dhe e ka theksuar se Kombëtarja e Kosovës ka pësuar ngritjen më të lartë nga të gjitha kombëtaret brenda këtij viti.

Marketing

Kosova është ngritur për 46 pozita brenda një viti dhe tani pozicionohet në vendin e 131 me 1113 pikë të grumbulluara, shkruan Gazeta Express.

Për shkak që në këtë muaj nuk ka pasur ndeshje të kombëtareve, pozita e Kosovës në renditje nuk ka ndryshuar nga muaji i kaluar, kur e shënoi ngritjen më të lartë ndonjëherë.

“Dardanët” nuk dinë për humbje që nga 9 tetori i vitit 2017, kur trajner i Kombëtares ishte ende Albert Bunjaki. Në atë ndeshje, që ishte e vlefshme për kualifikimin në Kupën e Botës, Kosova ishte mposhtur me rezultat 2-0 nga Islanda.
Që nga atëherë, Bernard Challandes e ka marrë drejtimin e Dardanëve dha ka arritur t’ia sigurojë Kosovës një ecuri të shkëlqyer pasi nuk ka pësuar asnjë humbje. Që nga ardhja e tij Kosova ka siguruar shtatë fitore dhe dy barazime në të gjitha garat.

Më 20 nëntor të këtij viti Kosova shënoi fitoren historike me rezultat 4-0 kundër Azerbajxhanit, duke e siguruar vendin e parë në Grupin 3 të Ligës C në Ligën e Kombeve dhe një vend në play-offs për kualifikim në Kampionatin Evropian dhe promovimin nga Liga D në Ligën C.

Marketing