Filipçe: Grupimet, mosrespektimi i masave dhe mosndëshkimi shkak për rritje të të sëmurëve dhe kthim të orës policore

Analizat e trendeve gjatë ditëve të kaluara tregojnë se në këtë moment kemi disa lokacione në vend ku ka përhapje të shpejtë të virusit dhe klasterë të cilët janë krijuar më shpesh si rezultat i mosrespektimit të masave të caktuara preventive. Grupimet e qytetarëve në festa familjare, mosmbajtja e pajisjes mbrojtëse, mosrespektimi i masave nga ana e kompanive për transport dhe organizim të punës janë shkaqet kryesore për rritje të të sëmurëve të rinj në Shkup, rajonin e Kumanovës-Likovës, Tetovë me komunat përreth dhe Shtip me rrethinë, theksoi sonte në konferencë për shtyp ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Marketing

Sipas tij, është mirë që në pjesën tjetër të vendit gjendja është stabile me raste sporadike, ndërsa ky është konfirmim se, siç thotë, strategjia jep rezultat atje ku respektohen masat. me qëllim të parandalimit të përhapjes së infektimit, shtoi ai, Qeveria vendoi ta kthejë orën policore.

“Kjo valë e re është pasojë e drejtpërdrejtë e mosrespektimit të masave të caktuara qartë, por edhe aktivitet i vonuar apo i dobët për ndëshkim nga ana ministrisë kompetente. Shpresoj se përfundimisht, edhe skeptikët e fundit do t’u bëhet e qartë se virusi nuk është shaka. Virusi nuk do të largohet derisa të gjithë nuk pranojmë se ai praqet kërcënim për secilin që nuk i respekton masat për mbrojtje. Edhe pas pothuajse 100 konferencave të mbajtura për shtyp dhe mijëra thirrjeve të përsëritura, një pjesë e qytetarëve akoma refuzojnë ta pranojnë realitetin, të pranojnë se përgjegjësia është e secilit individ. Nuk duhet të lejojmë madje që pasi të sëmuremi, të kuptojmë se sa është i rrezikshëm virusi. Ne punonjësit shëndetësorë, Qeveria, institucionet nuk mund të bëjmë asgjë pa qytetarët”, tha Filipçe.

Pohoj me përgjegjësi, thotë Filipçe, se të gjitha masat dhe vendimet dhe të gjitha porositë që ia dërguam opinionit ishin të sakta, mjekësisht përmbajtësore dhe me kohë. Strategjia dha rezultat, patëm rezultate të shkëlqyeshme, ndërkaq dëshmi janë, siç theksoi, komunat të cilat janë tërësisht stabile, si Dibra, ku me javë nuk ka raste të reja.

Sipas tij, gjithçka që përdoret si strategji në botë, është bërë edhe tek ne, por ajo që nuk mund të kontrollohet në tërësi është sjellja e njerëzve. Sistemi shëndetësor, tha Filipçe, është i përgatitur të ofrojë kujdes për secilin pacient.

“Besoj se kthimi i restriksioneve nuk është i lehtë për askënd. Besoj se ndoshta ndjeheni edhe të dekurajuar, sepse pjesa më e madhe prej jush po iu përmbahen masave për çka jam shumë mirënjohës. Kam obligim si ministër të bëjmë gjithçka për mbrojtjen e shëndetit kolektiv dhe të sistemit shëndetësor të cilin nuk duhet të lejojmë të stërngarkohet. Këtë e bëmë deri më tani, këtë do të vazhdojmë ta bëjmë derisa nuk dalim fitimtarë. Dëshiroj t’u dërgoj porosi të gjithë atyre të cilët kanë ndikim ndaj mendimit të qytetarëve, politikanëve, mediumeve, liderëve fetarë, dhe të gjithë të tjerëve – nëse kurdo herë gjatë historisë vendit i është nevojitur unitet dhe interes i përbashkët, është tani. Nëse të gjithë angazhohemi dhe secili me ndikimin e vet lufton për qëllimin e përbashkët, e ai është shëndeti i qytetarëve, do të arrijmë shumë shpejtë ta tejkalojmë edhe këtë valë të dytë”, tha ministri Filipçe.

Ai paralajmëroi se nga e hëna do të vendoset se si do të vazhdohet më tutje lidhur me zbatimin e masave.