Filipçe kërkon ta shkarkojë, reagon drejtori Zyberi

Drejtori i Qendrës për Shëndet Publik, Arben Zyberi, ditë më parë u lëvdua se ai si anëtar i Komisionit për Sëmundje Ngjitëse ka ndihmuar në hapjen e kufijve pa protokolle që votuesit e BDI-së më 15 korrik të mund të vijnë dhe të votojnë.

Marketing

‘Unë si anëtar i Komisionit për Sëmundje Infektive dhe anëtarët tjerë, kontribuam që kufijt të hapen dhe njerëzit të mund të lëvizin më lirshëm pa ngarkesa protokollare që i rekomandonin nga OBSH. Pse Jo, të mos vijnë në vendlindje, për Kryeministrin Shqiptar!” shkroi Zyberi në Facebook më 23 qershor.

Për këtë ka reaguar sot Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, duke thënë se një deklaratë e këtillë nuk i shkon një Drejtori të Qendrës për Shëndet Publik dhe se do të kërkojë që Zyberi të zëvendësohet.

I shpejtë ka qenë edhe reagimi i Zyberit pas kësaj deklarate të Ministrit të Shëndetësisë.

“Ministër Filipçe, ndaloni ta keqpërdorni foltoren e Qeverisë për qëllime zgjedhore. Unë jam kandidat për deputet dhe kam të drejtën time që në profilin personal në Facebook të kem qëndrime politike, e përskaj kësaj në asnjë moment nuk e kam keqpërdorur institiucionon që e drejtoj, gjë që për fat të keq e bën Ministri Filipçe me këto deklarata me paravijë zgjedhore”, është shprehur Zyberi.

Marketing