Mungesa e mjekëve po bëhet problem shqetësues në vend, teksa rrogat e ulëta po bëjnë që mjekët gjithnjë e më shumë të kërkojnë punë në vendet e zhvilluara europiane.

Nga Ministria e Shëndetësisë njoftojnë se në shtator do të shpallin konkurs për të gjithë specializimet shtetërore. Për këtë qëllim janë siguruar edhe mentorët adekuatë. Por, ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, thotë se as punësimi i mjekëve të rinj nuk mund ta zgjidhë problemin e mungesës së kuadrit të specializuar, pasi periudha e specializimit zgjat kohën e fillimit të punës së mjekëve të rinj.

Aktualisht, në vendet ku ka mungesë të specialistëve adekuatë, kjo mungesë po mbulohet me marrëveshjen mes shtëpive të shëndetit dhe klinikave. Kështu, sipas tij, është zgjidhur çështja e mungesës së gjinekologëve në disa qytete. Edhe në shumë ambulanca rurale, që gjenden pranë spitaleve rajonale, do të formohen ekipe kujdestarie, thotë Filipçe.

“Ne po zhvillojmë një projekt multisektorial, i cili përfshin vizitat nëpër shtëpi dhe shërbime patronazhi, pra të gjitha shërbimet pacientët do mund t”i marrin në shtëpitë e tyre ose në ambulancat që janë aktualisht bosh. Këtu e kam fjalën për ambulancat rurale të cilat nuk funksionojnë dhe për të njëjtat do të formohen ekipe të mjekëve që do të kryejnë shërbime në lidhje me sëmundjet kronike, për nënat me fëmijë të vegjël si dhe për të moshuarit”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.

Tashmë dy vite në Probishtip nuk ka internist, Koçani për një kohë të shkurtër do të përballet me të njëjtin problem, në Berovë dhe Pehçevë nuk ka pediatër, në Dellçevë pas dy vitesh nuk do të ketë specialistë internistë dhe neurologë. Dhe kjo gjendje shton nevojën për zgjidhje urgjente.

Ministri Filipçe tha se në gjashtë muajt e fundit në institucionet shëndetësore janë punësuar mijëra mjekë dhe personel mjekësor, me qëllim që të mbulohet mungesa e kuadrit dhe të mundësohet funksionimi normal i institucioneve shëndetësore.