Filipçe paralajmëron kufizim të lëvizjes, nëse nuk respektohen masat

Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe theksoi mbrëmë se nëse masat për mbrojtje nga Kovid-19 nuk japin rezultate, atëherë do të ketë rekomandime për kufizimin e lëvizjes.

Marketing

Sipas tij, kapacitetet spitalore po mbushen dhe se mjekët dhe infermieret janë nën presion. Por, siç tha ato janë të motivuara, punojnë dhe nuk do të ndodhë që të sëmurët nga koronavirusi të mbeeten pa përkujdesje mjekësore.

Për shkak të valës së pritur të vjeshtës dhe rritjes së rasteve, Filipçe nënvizoi se Komisioni për sëmundje infektive i propozoi Qeverisë masa kufizuese si mbajtja e obliguar e maskës në hapësira të hapura, ndalimi i grupimeve më shumë se katër persona pas orës 22, si dhe rritja e kompetencave të inspektorëve, që punojnë në terren, për të kontrolluar se a po respektohen masat.

Filipçe tha se beson që këto masa do të japin rezultat dhe nëse jo, atëherë do të ketë rekomandime për kufizimin e lëvizjes.

“Fillimisht shkurtimin e orëve të punës të subjekteve të caktuara ekonomike, objekteve hotelierike dhe shërbyese, por edhe kufizim të lëvizjes. Ne kemi parë se çfarë përvoje patën disa shtete që u hapën tërësisht, duke përfshirë shkollat dhe çerdhet.”, theksoi Filipçe, duke përmendur shtetin e Izraelit.

Lidhur me kritikat e opozitës, Filipçe tha se ato kanë qëllime politike dhe nuk kanë asnjë koncept të analizuar, apo diçka për të ndikuar pozitivisht. Gjatë dy ditëve të fundit në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar mbi 740 raste të infektuarëve me koronavirus, kjo një shifër rekorde nga fillimi i pandemisë.

Marketing