Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe përmes një shkrimi në rrjetet sociale ka kërkuar që të formohet një Komision Parlamentar për ndërtimin e Qendrës së Re Klinike, e që do të udhëhiqej nga opozita.

“I bëj thirrje opozitës të tërheqë 2000 amendamentet që bllokojnë qëllimisht ndërtimin e Qendrës së re Klinike. Ne do të jemi këtu si Ministri e Shëndetësisë për t’i mbështetur ata, dhe për t’i lejuar ata që të kontrollojnë procesin e zbatimit dhe çdo aspekt të projektit. Le të tregojmë këtë herë se së bashku mund të bëjmë diçka për qytetarët”, ka shkruar mes tjerash Filipçe.

Propozim ligji me të cili do të mundësohet ndërtimi i Qendrës së re Klinike, mbetet i heshtur në procedurat parlamentare. Deri më tani, përpjekjet që kjo qendër të ndërtohet në lokacionin “Vele Pole” në komunën Gjorçe Petrov dështuan dy herë. Ndërtimi pritet të kushtojë rreth 500 milion euro, kurse paratë e nevojshme do të sigurohen përmes huave nga Banka e Zhvillimit e BE-së dhe Banka Evropiane e Investimeve. Vlerësimet fillestare të Qeverisë ishin se klinika e re do të jetë gati deri në vitin 2027.