Fillojnë audicionet për anëtarët e Ansamblit shtetëror shqiptar

Atmosferë me valle, luajtje në instrumente popullore dhe këngë nga kandidatët të cilët duan të jenë pjesë e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Shqipe.

Marketing

Sipas anëtarëve të jurisë, Ansambli do të përfaqësojë kulturën artistike të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe kjo përzgjedhje sot, sipas tyre, do të jetë pasqyra e cilësisë së të rinjve të talentuar që do të jenë pjesë e Ansamblit në të ardhmen e afërt.

“Për të qenë pjesëmarrës në ansamblet e tilla duhet të përmbushen nga disa kritere elementare, të cilat do të jenë faktorë kryesorë për përzgjedhjen e tyre. Është moment i rëndësishëm për kulturën shqiptare në përgjithësi jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe për kulturën më gjerë”,- tha anëtari i jurisë, Valton Beqiri.

“Krijimi i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Shqipe në RMV, është një ngjarje e madhe për gjithë shqiptarët. Do të mundohemi të fusim njerëzit shumë të talentuar, të rinjtë më me pasion të cilët kanë edhe formimin e duhur që të kenë mundësi që të mbajnë mbi supe të gjithë jetën kulturore e artistike jo vetëm në Maqedoninë e Veriut”,- tha violinisti, Zeqir Sulkuqi.

Sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Valmir Aziri, është shprehur se kjo është një ditë historike për shqiptarët e RMV-së dhe për Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Shqipe.
“Unë besoj se ky është hapi i parë dhe historik, me plot të drejtë do kisha thënë edhe me krijimin e këtij institucioni, një institucion shumë i rëndësishëm për kulturën shqiptare, institucion i cili do të lëvrojë dhe do të kultivojë etnosin e kulturës shqiptare të Maqedonisë së Veriut”,- tha sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Valmir Aziri.

Sipas drejtuesve të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Shqipe, në këtë konkurs për valltarë kanë konkurruar 34 të rinj, do të përzgjidhen vetëm 20, ndërsa për instrumentistë kanë konkurruar 20, ndërsa pritet të përzgjidhen vetëm 9.
Si këngëtarë të AKVSHMV-së janë paraqitur 9 persona, mes tyre do të zgjidhen 8.

Marketing