Fillon kontrollimi i moteleve në gjithë Kosovën

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka lëshuar një urdhëresë që obligon Inspektoratin e ministrisë dhe inspektoratet komunale të bëjnë inspektime nëpër motele, duke kontrolluar për mundësinë e mashtrimit të konsumatorit.

Ministri e ka arsyetuar vendimin, duke thënë se po bëhet për t’i mbrojtur konsumatorët.

“Kam urdhëruar Inspektoratin e Ministrisë së Tregtisë që në koordinim të ngushtë me inspektoratet komunale të marrin një aksion për inspektimin dhe verifikimin e të gjitha dokumenteve si dhe higjienës të secilit motel që operon në Republikën e Kosovës. Ne jemi të përkushtuar që të gjitha shërbimet që ofrohen në Kosovë të kenë cilësi, në mënyrë që të mbrohet konsumatori dhe të eliminohem mundësia për mashtrim.

Kjo urdhëresë është në vazhdën e punës që jemi duke e bërë në mbrojtje të konsumatorit dhe për të vendosur rend dhe rregull”, ka thënë ministri Shala.

Në këtë aksion është duke asistuar edhe Policia e Kosovës dhe organet e tjera shtetërore.