Fillon regjistrimi në shkollat e mesme, paraqitja sipas rendit alfabetik të mbiemrit

Prej sot e deri më 18 qershor do të zbatohet aplikimi i parë nga afati i qershorit për regjistrim në vitin shkollor 2020/2021, sipas kritereve të përcaktuara në Konkursin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për regjistrimin e nxënësve të vitit të parë në shkollat e mesme publike për mësim në shkollë të mesme gjimnaz, shkolla profesionale, art dhe për arsim të mesëm për nxënësit me nevoja të veçanta arsimore.

Marketing

Regjistrimi do të organizohet dhe do bëhet në përputhje me udhëzimet nga Protokolli i miratuar nga Qeveria me rekomandimin e Komisionit për Mbrojtje nga Sëmundjet Infektive, i cili u përcillet të gjitha shkollave.

Sipas protokollit, dokumentet dorëzohen sipas rendit alfabetik të mbiemrit, ndërsa oraret e shkollave duhej të publikoheshin brenda ditës së premte, më së voni. Bartja e maskës mbrojtëse, distancë prej dy metrash dhe dezinfektimi është i detyrueshëm. Shkollat janë të obliguara të sigurojnë radhë dhe numër të kufizuar të nxënësve që hyjnë në shkollë në të njëjtën kohë për të paraqitur dokumente. Nuk lejohet shoqërimi nga ana e prindit/kujdestarit, përveç me ndonjë arsyetim.

Regjistrimi do të jetë sot, nesër dhe të enjten (16, 17 dhe 18 qershor) nga ora 07:00 deri në ora 19:00, si dhe më 19 qershor nga 07:00 deri në ora 13:00. Shkollat, në të cilat numri i nxënësve të regjistruar në vitet e fundit është më i vogël se numri i parashikuar në konkurs, mund të organizojnë regjistrimin e nxënësve vetëm sot dhe nesër. Renditjet me nxënës të regjistruar do të publikohen më 19 qershor pas orës 15:00.