Firma me zero të punësuar, por që qarkullojnë miliona euro

Vite me radhë, me mijëra firma në Maqedoni qarkullojnë dhe fitojnë me miliona euro, ndërkohë që nuk kanë asnjë të punësuar. Në vitin 2017, sipas të dhënave të Entit të Statistikës, nga 71.149 firma aktive, 7888 nuk kanë pasur asnjë të punësuar. Në vitin 2016, nga 71.519 kompani aktive në Maqedoni, bile 8.057 nuk kanë pasur asnjë të punësuar, por kanë angazhuar vetëm menaxherin, ndërsa sipas metodologjisë zyrtare, ai nuk llogaritet si i punësuar, shkruan gazeta KOHA. Në pjesën më të madhe, këto biznese janë të orientuar në sektorin e shërbimeve dhe në tregti. Njëherazi edhe në vitin 2014 nga afër 60 mijë firma që kanë dorëzuar llogari përfundimtare në Regjistrin Qendror, bile 11.579 prej tyre ku dominon tregtia, industria përpunuese dhe veprimtaritë teknike, profesionale dhe shkencore, nuk kanë pasur asnjë të punësuar dhe kanë qarkulluar 272 milionë euro. Një trend i tillë shënohet edhe në vitin 2010, kur sipas të dhënave zyrtare statistikore, nga 75 mijë firma aktive, bile 11 mijë nuk kanë pasur të punësuar apo nuk e kanë treguar zyrtarisht numrin e punëtorëve. Njohësit e ekonomisë thonë se hapja, por edhe puna e bizneseve pa asnjë të punësuar lejohet me legjislacionin e Maqedonisë. Apo sipas Ligjit për shoqëri tregtare, kompania mund të mos ketë asnjë të punësuar, por duhet të ketë vetëm drejtorin që do ta përfaqësojë para organeve të ndryshme shtetërore. Ekonomistët thotë se hapja e firmave të tilla lejohet në të gjitha shtetet, ndërsa kryesisht bëhet fjalë për firma konsulente, shërbyese dhe të tregtisë.

Marketing

“Kompani të tilla pa të punësuar si duket arrijnë, jo vetëm të mbijetojnë në treg, por edhe të shënojnë rezultate të mira. Shpesh biznese të tilla hapen për të shfrytëzuar benefite të caktuara si pjesëmarrja në furnizime publike, ku pas fitimit të tenderit, angazhohen firma nënkontraktuese për realizimin e punimeve të ndryshme. Ekzistojnë edhe raste kur kompani të tilla hapen për të evituar konfliktin e interesave, apo për të mbrojtur edhe ndonjë pronësi intelektuale të themeluesit”, thotë përfaqësuesi i punëdhënësve të Maqedonisë, Angel Dimitrov.

Sipas tij, ekzistojnë edhe raste kur njerëzit regjistrojnë firma që t’u gjenden, ose i mbajnë të punësuarit në statusin e punëtorëve me honorar.

Në ndërkohë, ekonomistët vlerësojnë se përderisa kompani të tilla respektojnë Ligjin dhe nuk shkelin rregullat ligjore, nuk mund të imponohet ngrirja apo përkufizimi i punës së tyre, për shkak se në një ekonomi tregu, nuk duhet të imponohet përzgjidhja e afaristëve se si do të organizojnë dhe menaxhojnë punën e tyre. Në praktikë, firmat pa të punësuar shpesh grumbullojnë dhe shesin prodhimet bujqësore në tregjet e jashtme apo japin me qira hapësira të ndryshme banesore dhe afariste , për çka shpesh angazhojnë vetëm përkohësisht fuqinë e nevojshme punëtore. Në vitet e kaluara, ka pasur edhe raste kur afaristët nga jashtë shtetit hapin biznese në Maqedoni, ku paraqiten vetëm si menaxherë, por jo edhe si të punësuar.

Praktika të tilla të kompanive që nuk kanë të punësuar e për të cilët paguajnë paga dhe kontribute pensionale dhe shëndetësore vërehen edhe në shtetet fqinje dhe në botë.

Në Serbi, në vitin 2016, çdo e katërta kompani nuk ka pasur asnjë punëtor, por ka qarkulluar me miliona euro. Shpesh bëhet fjalë për kompani që merren me projektim apo konsulencë, ku edhe nuk ka nevojë të angazhojnë punëtorë në mënyrë të përhershme, por angazhojnë profesionistë me kontratë për çka edhe paguajnë tatime. Shpesh firma të tilla janë edhe fonde që vetëm ruajnë të hollat e dikujt, andaj nuk ju nevojiten punëtorë. Firma të tilla angazhojnë dhe paguajnë punëtorët sipas nevojës dhe në bazë të shërbimeve konsulente. Bile në Serbi, nga 22 firma që shesin dhe blejnë energji elektrike, shtatë prej tyre nuk kanë punëtorë.

Në Gjermani, ekziston mundësia të themelohet kompania pa të punësuar, por vetëm me drejtorin i cili nuk llogaritet si i punësuar në aspektin juridik, por punon në bazë të marrëveshjes për shërbime, dhe për të cilët paguhen kontributet. Edhe legjislacioni i Mbretërisë së Bashkuar mundëson hapjen e bizneseve pa asnjë të punësuar. Vetëm në vitin 2013, 75 për qind e bizneseve në këtë shtet nuk kanë pasur asnjë të punësuar, me përjashtim të pronarit. Në perëndim shpesh firmat që punojnë me profit të madh, regjistrojnë edhe firma të tjera që kryejnë punë të caktuara për kompanitë amë, ndërsa duke marrë parasysh zhvillimin e madh teknologjik, nuk ka nevojë për të punësuar punëtorë. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të dhënat statistikore tregojnë se në vitin 2012, rreth 21 milionë biznese nuk kanë pasur asnjë të punësuar. Në vitin 2011, sipas të dhënave të Byrosë amerikane të statistikës, në këtë shtet ka pasur 22.5 milionë firma të pavarura pa asnjë punëtor me përjashtim të pronarit me të ardhura mesatare prej 44 mijë dollarë në vit, që si vlerë – është e afërt me pagën mesatare prej 45.790 dollarë në vit apo 3815 dollarë në muaj. (koha.mk)

Marketing