Fjalimi i plotë i Zëvendëskryeministrit të parë Grubi, në Forumin e Prespës për Dialog mbi Marrëveshjen Paqësore të Ohrit (Video)

Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministri për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive Artan Grubi ishte pjesë e konferencës ndërkombëtare dyditore “Forumi i Prespës për Dialog”, në të cilën pjesëmarrës ishin personalitete të shquara të politikës vendore, protagonistë e përkrahës zë mëdhenj të proceseve paqësore dhe rrugës së euro-integrimeve nga Bashkimi Evropian, SHBA, NATO dhe OSBE për të diskutuar rreth perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Marketing

Në fjalimin e tij, Grubi ka potencuar rolin e implementimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe Marrëveshjes së Prespës që u bënë yll udhëzues i ardhmërisë paqësore dhe progresive të Maqedonisë së Veriut.

Po u’a sjellim të plotë fjalimin e Zëvendëskryeministrit të parë z. Artan Grubi

Zonja dhe zotërinj, të dashur miq të Republikës së Maqedonisë së Veriut,

Të nderuar z. Richard dhe z. Le Roy, përshëndetje dhe mirësevini në Maqedoninë e Veriut,

I dashur Ambasador, mirë se erdhët përsëri në qytetin tuaj të preferuar,

I dashur Edward, kënaqësi të ju kemi përsëri me ne.

Klarisa, mikeshë e vjetër dhe kontribuese në rajon.

Jam shumë i lumtur që shoh edhe z. Ahmeti të na bashkangjitet në këtë panel bashkë me zëvendkryeministrin Bytyqi, Ministrin e ekonomisë Bekteshi, kryetaren e Tetovës Arifi, Ministren e mbrojtjes Shekerinska, Ministrin e finansave Besimi dhe shumë mysafirë tjerë të nderuar, jam i lumtur që ju shoh.

Kur vendi im aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Europian në vitin 2004, miku ynë i dashur Javier Solana shpalosi një maksimë të pranuar gjerësisht në diskursin tonë dhe marrëdhëniet tona me Bashkimin Europian, duke deklaruar se “Rruga për në Bruksel kalon përmes Ohrit”.

Dhe me të vërtetë kështu u bë.

Mbaj mend fytyrën e buzëqeshur të Erwan-it, me pallton e tij të bardhë dhe shallin ngjyra ngjyra, disa ditë pas marrjes së mandatit të tij, në fund të Dhjetorit të vitit 2005, duke sjellë një shishe shampanjë me qëllim që të festojmë statusin kandidat për anëtarësim në BE të vendit tonë, pikërisht si rezultat i zbatimit të Marrëveshjes Paqësore të Ohrit.

Sot, herët në mëngjes, një telefonatë nga z. Ahmeti, i cili është i pranishëm sot këtu me ne, ma ndryshoi fjalimin që kisha ndërmend ta mbaj.

Pikërisht 37 vjet më parë, po në këtë ditë, ai u detyrua të largohej dhe të kërkonte azil politik në Zvicër për të mos parë familjen e tij për më shumë se një dekadë.

Pasi u arrestua dy herë si student nga shërbimi sekret jugosllav pas demonstratave të vitit 1981, ai arriti t’i shpëtonte përpjekjes së tretë për arrest dhe u arratis në Zvicër nga ku dhe vazhdoi përpjekjet e tij për demokraci dhe liri.

Që atëherë, shpërtheu luftë në Slloveni, Kroaci, Bosnjë, Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe Serbi, qindra mijëra vdiqën, kurse miliona njerëz u shpërngulën.

Kur i rikthehem asaj që kemi kaluar të gjithë ne në tre dekadat e fundit dhe ku jemi sot, i bëj pyetje vetes, PSE?

Pse identifikohet interesi i kombit në dëm të kombeve tjera?

Nacionalizmi, miqtë e mi të dashur, vërboi disa prej nesh dhe solli shkatërrim duke bërë që të humbim dy dekada nga jeta jonë.

Për të luftuar atë verbësi masive, duheshin burra dhe gra të guximshëm që të ngriheshin në këmbë dhe të thoshin MJAFT.

Dhe atyre burrave dhe grave u duhej mbështetja e botës së lirë me qëllim që të arrihet paqja.

Burra dhe gra të tillë ishin ata që nënshkruan Marrëveshjen Paqësore të Ohrit 20 vjet më parë dhe marrëveshjen e Prespës para tre viteve.

Nevojitet guxim më i madh për të dhënë fund mosmarrëveshjeve se për të hapur probleme të reja.

“Të bekuar janë paqëbërësit”.

Prandaj, unë do të doja të theksoj rëndësinë e barazisë dhe besnikërisë.

Barazia si gjendje e të qenurit i barabartë në një shoqëri, veçanërisht në status, në të drejta ose mundësi si dhe në obligime, dhe besnikëri si lojalitet i një individi ndaj një kombi të tërë, kauze, filozofie, vendi, grupi ose personi.

Sa më shumë të barabartë të ndjehen qytetarët, aq më kohezive dhe e drejtë bëhet shoqëria.

Sa më besnik është shteti ndaj qytetarëve të tij dhe të gjitha komuniteteve, aq më shumë qytetarët dhe komunitetet janë besnik ndaj shtetit.

Çfarë humbi vendi im nga hapërimi i fuqishëm drejt dhe realizimi i barazisë së plotë për të gjithë ne dhe nga zbatimi i Marrëveshjes Paqësore të Ohrit?

Çfarë humbi vendi im nga të qenurit më besnik ndaj të gjithë qytetarëve?

Nuk humbi asgjë, fitoi shumë.

Sot, unë jam krenar që përfaqësoj vendin tim, Maqedoninë e Veriut dhe që mbroj barazinë dhe qëllimin tonë të përbashkët të përkasiisë në shoqërinë e vlerave euro-amerikane.

Kolegu im Talati me krenari udhëheq Kuvendin, Bujari kryeson me diplomacinë e vendit, me financat udhëheq Fatmiri, me ekonominë Kreshniku, të paktën pesë lojtar shqiptar mbanin me krenari fanellën kombëtares gjatë kampionatit europian të futbollit, znj. Besa shkëlqyeshëm udhëheq me Gjykatën Supreme, e kështu me radhë.

Ne jemi më besnik qëkur shteti përqafoi barazinë dhe besnikërinë ndaj të gjithëve njëlloj dhe në mënyrë të barabartë.

Dhe e gjithë kjo u arrit në partneritet të ngushtë me Bashkimin Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-në dhe OSBE. Është një histori e përbashkët suksesi të cilën bashkë do ta festojmë dhe shënojmë më 13 Gusht.

Unë do të doja të shprehja vlerësimin tim më të thellë për të gjithë liderët kombëtarë dhe miqtë nga bashkësia ndërkombëtare, disa sot edhe të pranishëm bashkë me ne dhe shumë të tjerë që nuk janë këtu dhe në mesin tonë, por ne të gjithë së bashku 20 vjet më parë lëvizëm në këtë rrugë të vështirë dhe vazhdojmë të qëndrojmë bashkë në rrugëtimin e paqes, prosperitetit, zhvillimit dhe integrimit. Një rrugëtim ky i cili ka akoma shumë punë për tu bërë.

Negociatat, arritja dhe nënshkrimi i marrëveshjes së Ohrit dhe rregullimet e reja që solli, janë pjesë e rrugëtimit tonë kolektiv nga dështimet e së kaluarës, drejt një të ardhme të barabartë. Kjo është arsyeja pse Marrëveshja e Ohrit shënon fundin e një epoke, që në fakt është më tepër një nismë e re, një fillim i ri.

Një brez i tërë është rritur që nga viti 2001.

Ohri ka transformuar thellësisht Maqedoninë e Veriut dhe pas kësaj mbetet ylli ynë udhëzues drejt të ardhmes.

Ndoshta, nëse nuk do të realizohej Marrëveshja e Ohrit, nuk do të ishte realizuar as Marrëveshja e Prespës.

Kjo është arsyeja pse unë inkurajoj, në veçanti miqtë tanë nga rajoni, që të përdorin si shembull Marrëveshjen e Ohrit dhe atë të Prespës me qëllim që tu qasen kontesteve që kanë, me plot guxim, pasi guximi shpaguhet dhe garanton për brezat e sotëm dhe ato që do të vijnë.

Një lider udhëheq dhe nuk udhëhiqet, merr vendime për brezat e ardhshëm dhe jo për zgjedhjet e radhës.

Unë e kam të qartë dhe e di plotësisht përgjegjësinë që mbajmë tani mbi shpatullat tona me qëllim që të mbrojmë këtë arritje të jashtëzakonshme dhe për të përkrahur përparimin e 20 viteve të kaluara. Të ndërtojmë një vend që plotëson nevojat e së nesërmes dhe që është kompatibil me të ardhmen tonë mbi baza të barazisë, drejtësisë dhe respektit për dallimet tona.

Ne vazhdojmë të përballemi me sfida të mëdha, por fryma e Marrëveshjes së Ohrit na jep besimin, guximin dhe optimizmin për të përballuar së bashku sfidat që do na dalin përpara në të ardhmen.

Udhëtimi ynë është ende i papërfunduar. Misioni ynë tani është që të ndërtojmë 20 vitet e ardhshme.

Bashkë.

Të gjithë ju ishit shumë të sjellshëm me vëmendjen tuaj dhe ju falënderoj për këtë.

Marketing