Kandidati i BDI-së, nga Zona e 6-të zgjedhore, dr. Florin Besimi, fushatën elektorale e ka vijuar në takim me shoqatat kulturore dhe me artistët e qytetit të Tetovës, ku së bashku me shefen e Shtabit lokal zgjedhor, Teuta Arifi dhe veprimtarët tjerë, ku u përcoll pjesa e platformës së BDI-së për kulturën.

Dr. Besimi, ka shpalosur pjesë të kësaj platforme, duke premtuar se duhet bërë institucionalizimi i kulturës shqiptare, me pikat e kësaj platforme si vijon:
Institucionalizimi i kulturës shqiptare do të jetë kryefjala e mandatit 2020-2024, dhe këtë do ta bëjmë duke themeluar e institucionalizuar kulturën tonë nëpërmjet këtyre institucioneve.

Themelimi i Institucionit Nacional, Teatër Muzikor i Shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, me qendër në Tetovë. Në kuadër të këtij institucioni do të funksionojnë sektorët si: Orkestra e Teatrit, Kori profesional, Sektori i solistëve, Sektori i baletit si dhe Sektori për fëmijë. Në këtë Teatër muzikor, do të krijohen mundësi të panumërta për artistët, kompozitorët, instrumentistët, dirigjentët, koreografët, kërcimtarët dhe një rëndësi e posaçme do të ju kushtohet fëmijëve.

Themelimi i muzeut historik kombëtar Iliro-Dardan, ku do të vendosen artefakte Iliro-Dardane – Shkup,
Themelimi i një teatri për fëmijë dhe për të rinjtë në qytetin e Tetovës.

Themelimi i institucionit nacional teatri i Kumanovës: duke marrë parasysh funksionimin e suksesshëm të deri tanishëm, dikasteri i dramës shqipe pranë Qendrës për Kulturë në Kumanovë duhet të shndërrohet në drejtori në vete – e shkëputur nga Qendra Kulturore në Kumanovë.

Themelimi i dikastereve të dramës dhe arteve vizuele brenda qendrave për kulturë në Kërçovë, Dibër dhe Strugë si dhe themelimin e institucioneve nacionale, galeri të arteve në qytetet e Kërçovës, Gostivarit dhe Strugës.

Dr. Florin Besimi, ka ftuar komunitetin e kulturës të dalin të votojnë më 15 korrik, për fitoren e shqiptarëve, për dalëzotësit e kulturës shqiptare dhe implementuesit e projekteve me rëndësi kombëtare, duke votuar BDI-në, duke votuar numrin 9, duke votuar për Kryeministrin e parë shqiptar!