Fokusi kryesor i vendit të jetë referendumi

Propozimi i pushtetit që anëtarët e KSHZ-së të zgjedhen me shumicë të thjeshtë në vend të shumicës me dy të tretat e votave, nuk mund të shihet në mënyrë të izoluar nga disa rastet që çuan deri në gjendjen aktuale. Kështu vlerësojnë njohësit prej të cilëve Alsat M kërkoi mendim për hapin e fundit të pushtetit. Për Darko Aleksovin nga organizata joqeveritare “MOST”, precedenca e parë është bërë kur opozita pati rastin që ta udhëheq Komisionin për Zgjedhje dhe Emërime dhe rastin e dytë e kishte kur partitë u dakorduan për ndryshime të përkohshme të Kodit zgjedhor. Kështu që, ndryshimet e propozuara, do të jenë rasti i tretë me radhë, por sipas Aleksovit kjo në aspekt formal nuk paraqet problem.

Marketing

“Në aspektin formal- juridik, nuk ka pengesë ligjore që kjo të bëhet. Nëse e shohim nga aspekti praktik, kjo është hera e parë, për nga mënyra se si është sistemuar përbërja, është hera e parë prej vitit 2006 në Maqedoni janë përzgjedhur anëtarët e KSHZ-së me konsensus”, deklaroi Darko Aleksov, OJQ MOST.

Ndonëse ndryshimet mund ta largojnë potencialisht opozitën nga zgjedhja e Komisionit të ri, Aleksov konsideron se qëllimi kryesor për të gjithë në këtë moment duhet të jetë referendumi.

“Arrijmë deri te vetë akti i referendumit që është akti më i lartë i shprehjes qytetare dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në procesin e vendimmarrjes, e ashtuquajtura demokraci e drejtpërdrejt. Nga aspekti i zhvillimeve momentale, ajo që është qëndrim i asociacionit civil MOST është se është më së paku joserioze të pengohet një proces i këtillë”, tha Darko Aleksov, Organizata Joqeveritare MOST.

Analisti politik Albert Musliu nuk është dakord me atë se mënyra e zgjedhjes së anëtarëve të KSHZ-së do ta largojë opozitën nga pjesëmarrja në referendum.

Sipas Musliut, nuk është rrezikuar as dialogu i rregullt të cilin me muaj e zhvillojnë pushteti dhe opozita.

Propozim-ndryshimet e Kodit Zgjedhor u propozuan një ditë më parë, rastësi apo jo, menjëherë pas shkuarjes së komisionerit Johanes Han. Më shumë se një muaj kishte bllokim të Komisionit për Emërime dhe Zgjedhje, ndërsa kjo kishte për qëllim mos emërimin e anëtarëve të rinj të KSHZ-së dhe me këtë të mos mundet të shpallet referendumi i paralajmëruar.