Francë-SHBA, hetim shpërthimit në Bejrut

Franca dhe ShBA-ja kanë bashkuar forcat për të hetuar shpërthimin e 4 gushtit në Bejrut. Ndonëse zyrtarisht Libani ka refuzuar një hetim ndërkombëtar, hetuesit e huaj kanë filluar punën. Në vend qytetarët nuk besojnë se qeveria mund të kryejë një hetim të plotë dhe të pavarur.

Marketing

Franca dërgoi një helikoptermbajtëse dhe policinë mjekoligjore në Bejrut të Libanit pas shpërthimit shkatërrues dhe vdekjeprurës në port.

Si protestuesit libanezë, ashtu edhe bashkësia ndërkombëtare kanë bërë thirrje për një hetim të pavarur të shpërthimit që vrau mbi 170 vetë dhe plagosi mijëra të tjerë.

Puna e autoriteteve libaneze filloi me mosmarrëveshje politike për atë që do t’i drejtojë hetimet. Shumë qytetarë dyshojnë se qeveria mund të zhvillojë një hetim të pavarur. Gjithashtu një i dërguar amerikan mbërriti të shtunën në Bejrut për të ndihmuar në hetimin e shkaqeve të shpërthimit.

“Çfarë ndodhi saktësisht? Çfarë e solli shpërthimin? Ne duhet të garantojmë një hetim të plotë, transparent dhe të besueshëm,” tha diplomati amerikan  David Hale.

Ndërkaq puna ka rifilluar në pjesën tjetër të portit e cila nuk u dëmtua nga shpërthimi dhe punëtorët aty u panë duke shkarkuar grurë. Kombet e Bashkuara vlerësojnë se rreth 30 për qind e portit është tërësisht e dëmtuar.

Prej ditësh familjarë të viktimave po i kërkojnë Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të autorizojë një hetim ndërkombëtar, por presidenti Michel Aoun e refuzoi një propozim të tillë.

Megjithatë skuadrat franceze të hetuesve filluan nga puna dhe disa zhytës janë dërguar në kraterin e shkaktuar nga shpërthimi. Ata synojnë që të mbledhin mostra të eksplozivit.

Deri tani dihet se më 4 gusht ndezja e rreth tremijë ton nitrat amoni solli shpërthimin në port, por shkaqet mbeten të panjohur. Dokumentet e zbuluar më vonë tregojnë se udhëheqja e vendit dhe politikanët e lartë ishin në dijeni për rrezikun që paraqiste lënda kimike e magazinuar në mënyrë të papërshtatshme në port.

Marketing