FRI shënon Ditën Botërore të Mbulesës

Shënimi i ditëve të ndryshme botërore e internacionale përgjatë vitit është një ndër dëshmitë e vlerës së llojllojshmërisë në Tokë. Bukurisë së këtij mozaiku të shënimeve tanimë për tetë vite me radhë i është bashkangjitur me 1 Shkurt edhe Dita Botërore e Mbulesës.

Marketing

Një ditë nga i gjithë viti me mundësi të përjetimit të një praktike fetare të përjetshme. Një iniciativë që ju ofrohet femrave të vendeve të ndryshme si një mundësi e përjetimit, qoftë edhe për disa çaste të një dite, të një emocioni ndryshe. Është ajo ditë tek e cila theksohet në formë simbolike një vlerësim i femrës, tregohet një stacion i rrugës drejt Zotit e dëshmohet një formë e dashurisë ndaj Tij.

Forumi Rinor Islam viteve të fundit në vazhdën e aktiviteteve të vitit, me anë të aktiviteteve si promovimit të shamisë, tribunave, video materialeve e shkrimeve të ndryshme ka shënuar edhe Ditën Botërore të Mbulesës.

Me anë të shënimit të kësaj dite nuk humbim energjinë për të vërtetuar apo për të dëshmuar të mirat e mbulesës, por, për të inkurajuar dhe iniciuar një femër për të ndjerë në disa çaste konformizmin fizik, psiqik e shpirtëror të mbulesës, për të qenë vet dëshmia që ne në fakt nuk jemi e jashtmja por e brendshmja jonë. Në këtë ditë, në vende të ndryshme shkruhet e diskutohet mbi shaminë, megjithatë përskaj të gjithë teorive dobiprurëse të cilat pa dyshim i mbart mbulesa, objektivi i saj i vetëm është plotësim i urdhëresës së Krijuesit.

Shënimi i kësaj dite le të jetë shkas për inicim drejt hulumtimit e leximit që sjellin efektin e përforcimit të bindjes sonë, që rezulton në demonstrim të mrekullisë së hedhjes së çdo hapi, si gjurmë e adhurimit ndaj Zotit tonë.

Zuljeta Fetai, nënkryetare
Forumi Rinor Islam

Marketing