Fshati Niçpur do të bëhet me xhami të re

Më 28 prill, 2019, në fshatin Niçpur, komuna e Mavrovë-Rostushës, filloi rindërtimi i Xhamisë së Re.

Marketing

Nisjen e punës e nderuan banorët e fshatit Niçpur, hoxhallarë të rrethit të Gostivarit, Myftiu i Gostivarit – Hfz. Shaqir ef. Fetahu me stafin e tij, Kryetari i Komunës – z. Medat Kurtoski me bashkëpunëtorët, pastaj myftilerët e myftinive të BFI etj. Në Niçpur ishin dhe Kryetari i BFI së RMV, Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi me bashkëpunëtorë, si dhe shumë mysafirë të tjerë.

Hapjen e këtij solemniteti e bëri Arben Emini, nxënës i SHMI Medreseja Isa Beu – Shkup, i cili me zërin e tij të bukur lexoi dhe ajete nga Kurani i madhërishëm.

Në këtë akt solemn fjalë përshëndetëse pati kryetari i Këshillit Iniciativ, z. Sejdi Pajaziti, i cili pasi përshëndeti të pranishmit, tregoi arsyet dhe aktivitetet për këtë rindërtim të Xhamisë së Re.

Më pas fjalë mbajti edhe Myftiu i Myftinisë së BFI – Gostivar, si përgjegjës për organizimin e jetës fetare në këtë anë. Ai theksoi se kërkesa e kamotshme e banorëve të fshatit Niçpur e ka sjellë këtë që sot, kështu të lumtur e të bashkuar, të jemi prezent këtu për të bërë një vepër madhore.

Në këtë manifestim fjalë përshëndetëse kishte edhe Kryetari i Komunës së Mavrovë-Rostushës, z. Medat Kurtoski, i cili tha se ndjehet shumë i lumtur që sot po përjeton një gur themeli të një xhamie të re në komunën ku ai qeveris, duke siguruar mbështetjen e tij të parezervë në rregullimin e infrastrukturës, për një zhvillim edhe më të mirë të kësaj ane.

Ajo që e dalloi këtë akt solemn ishte vetë prezenca e kreut më të lartë të BFI të RMV, Reis’ul- Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, i cili theksoi se ndërtimi i objekteve fetare nëpër vendbanime si Niçpuri është pasurim shpirtëror dhe shoqëror për viset si këto të Rekës së Epërme, që është dhe një kontribut për ruajtjen dhe zhvillimin e multietnicitetit dhe të multikonfesionalitetit aty.

Duanë e këtij akti solemn e bëri Myftiu i Myftinisë së Tetovës, prof. dr. Qani ef. Nesimi.

Vlen të përmendim që kjo xhami si pronë është vakëf në emër të BFI-së dhe se numëron 8.750 m2 tokë. Objekti i Xhamisë së Vjetër është djegur nga okupatorët e asaj kohe në vitet 1912-13, duke lënë vetëm gërmadhën e gurëve.