“Fshesa”, Zaev: Liderët do të njoftohen për shkarkimet

Kryeministri Zoran Zaev nuk do të ndërmerr asnjë hap për ndryshime në Qeveri pa i njoftuar partnerët e koalicionit. Duke mos komentuar emrat e përfolur deri më tani, i pari i organit ekzekutiv thekson se liderët do të njoftohen në detaje për lëshimet që kanë bërë funksionarët të cilët i kanë caktuar.

Marketing

Është e rrugës që si mandatar t’i njoftoj partnerët e koalicionit me lëshimet e konstatuara nga personat dhe funksionarët e caktuar të cilët dua të largohen. Sapo t’i marr vendimet, do t’i kumtoj para publikut. Është e rrugës që ai i cili ka nominuar ose caktuar një funksionar të njoftohet se do t’i largohet i nominuari”-tha Zoran Zaev, kryeministër.

I pyetur për qëndrimet e funksionarëve të BDI-së, të cilët tashmë disa herë kanë deklaruar se vetëm kryetari i tyre mund të vendos për fatin e tyre, Zaev ka shtuar se gjithçka do të merret vesh pasi propozimet të dërgohen në Kuvend.

Mishmashi i deklaratave të funksionarëve të lartë të BDI-së që po e dëgjojmë këto ditë do të merret vesh në fund kur do të kuptohet e vërteta për të cilën po flasim. Unë jam propozuesi ndërsa ata mund të votojnë ose jo në Kuvend. Kur do t’i dërgoj propozimet në Kuvend, Artan Grubi është deputet dhe ai bashkë më grupin e tij parlamentar do të shprehen për vendimet. Për këtë arsye kisha takim me liderin e tyre, që në kohë ta dinë se cilat vendime do t’i marr dhe të diskutojnë në parti”-theksoi Zoran Zaev, kryeministër.

Lidhur me ritmin e ndryshimeve, Zaev hodhi poshtë akuzat se procesi ka ngecur duke shtuar se që pas zgjedhjeve presidenciale e deri në fund të muajit do të bëhen analizat e duhura dhe takimet me liderët, që më pas në pjesën e parë të qershorit të veprohet me ndryshime konkrete. Zaev paralajmëroi takime të reja me partnerët e koalicionit gjatë ditëve në vijim.