Ftesa e Ahmetit, ASh-Alternativa: Liderët vendosin deri nesër

Katër partitë politike shqiptare ende janë duke shoshitur ftesën e kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti për tryezë të përbashkët më 13 gusht, ditën e shënimit të përvjetorit të Marrëveshjes së Ohrit.
Brenda Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës janë zhvilluar konsultime dhe kryetarët e partive sot ose nesër pritet të njoftojnë opinionin për vendimin e marrë.
“Ka pasur konsultime brenda partisë, vendimin përfundimtarë do ta thonë dy kryetarët e partive. Me marrjen e vendimit, sot apo nesër do të njoftohet opinioni i gjerë”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.
“Jemi mbledhur kryesitë e dy partive dhe kemi autorizuar kryetarët që të marrin vendimin përfundimtarë, sot ose nesër”, thonë nga Alternativa.
Nga Lëvizja Besa ende nuk kanë vendosur se a do të ulen në një tryezë me Ali Ahmetin, pas bashkëpunimit parazgjedhor me LSDM-në.
“Ende jemi në konsultime brenda partiake. Sapo të kemi një vendim, do ta njoftojmë opinionin”, thonë nga Lëvizja Besa.
Ndërkaq Menduh Thaçi, i cili Zoran Zaevit i zgjati dorën e bashkëpunimit në formimin e qeverisë së re, sot nga partija e tij nuk dhanë kurfarë informacioni se si do të veprojnë më 13 gusht.
Kreu i integristëve Ali Ahmeti ka ftuar liderët shqiptarë që bashkërisht të diskutojnë zgjedhjet e mbajtura parlamentare. Jozyrtarisht mësohet se temë diskutimi pritet të jetë koalicioni i zgjeruar qeveritar i partive shqiptare.