“Fundosen” lëndët e ish-Prokurorisë Speciale

Shumë lëndë gjyqësore të ish-Prokurorisë Speciale që kanë të bëjnë me ish-zyrtarët e qeverisë së kaluar vazhdojnë ose të kthehen në rigjykim ose të anulohen nga Gjykata e Apelit, gjë që ka rritur reagimet e kritikat në opinion ndaj gjyqësorit duke e quajtur madje edhe si “turpin” më të madh në vend.

Marketing

Gjykata e Apelit ditë më parë anuloi vendimin e Gjykatës Penale, e cila me 3 vjet e 2 muaj burgim kishte dënuar kryetarin e PDSH-së, Menduh Thaçin dhe me 3 vjet Sasho Mijallkovin, ish-kreun e policisë sekrete, pasi ishin shpallur fajtorë për manipulime zgjedhore.

Gjykata e Apelit anulimin e vendimeve e ka arsyetuar me lëshime në procedurën e gjykimit, por pa dhënë detaje tjera. Në një rast tjetër, gjykimi i ish-ministrit të Transportit, Mile Janakievski, është rikthyer në fillim për shkak të vonesës së procesit deri aty sa të pensionohet një gjyqtare porote, që po ashtu rrezikon anulimin edhe të pesë proceseve tjera gjyqësore.

Nuk kanë marrë fund as disa procese tjera ku i akuzuar është edhe ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, ndërsa një proces ndaj tij është anuluar në tërësi për shkak të vjetërsimit të lëndës.

Ish-prokurori publik, Jovan Trpenovski, thotë se secila lëndë ka specifikat e veta dhe se nuk mund të nxirret asnjë konkluzion i përgjithshëm, se pse çështjet e profilit të lartë kanë ngecur në procedurat juridike. Por, sipas tij, gjykata tani është nën presion nga publiku për t’i dhënë fund procesit gjyqësor.

“Faji nuk duhet kërkuar vetëm tek gjyqi, por tek të gjithë. Ndoshta ka arsye të qëndrueshme për shtyrjen e procedurës, por mund të jetë edhe e kundërta, megjithatë procedura është rreptësisht formale dhe nuk mund të lejohet mos përmbushja e asnjë kërkese të palës mbrojtëse, pasi ajo shpesh din ta abuzojë atë, sepse ata gjithmonë e konsiderojnë në favorin e tyre vjetërsimin eventual të procedurës”, thotë Trpenovski.

Por, ndryshe nga ai vlerëson Bashkim Selmani, profesor i së drejtës ndëshkimore, i cili dyshon se në këto raste ka orkestrime për qëllime politike, sikur ato që sipas tij, bëheshin në kohën e qeverisjes së Nikolla Gruevskit.

“Pikërisht politika dhe aktorët politik apo persona të caktuar kanë mbajtur peng tërë sistemin shtetëror. Në atë kohë ishte Gruevski, por edhe tani siç vepronte Gruevski po vepron edhe qeveria aktuale, e cila me raste të caktuara jo vetëm që bëri pajtimin i cili nuk njihet në aspektin juridik, por tani rezultoi që Zaevi dhe vullneti i tij politik u pajtua me të gjithë. Të pajtohesh me të gjithë do të thotë të falësh krimin, të falësh kriminelët pasi që nga fillimi kjo qeveri nuk gjeti rrugën e duhur për t’i goditur ata. Nëse shteti nuk godet keqbërësit, ata do të mbajnë peng dy milionë njerëz”, thotë për Radio Evropën e Lirë, Selmani, transmeton KOHA.

Nga ana tjetër, ish-gjykatësi kushtetues, Trendafil Ivanovski, vlerëson se situata tregon se bashkëpunimi i sistemit të drejtësisë me të akuzuarit për krime nuk është tejkaluar.

“Loja vazhdon. Nuk do të thosha se kjo është si rezultat i ndonjë pakujdesie e kështu me radhë. Problemi qëndron në atë se nuk zgjidhen mjete për t’i ikur drejtësinë tonë, domethënë, ata që duhet të luftojnë për shtetin e ligjor janë shumë mirë të koordinuar me krimin. Kjo është e turpshme, paraqet shkelje të rëndë të dinjitetit të profesionit të gjyqtarit. Drejtësia këtu ka mbetur atje ku ishte në dhjetë apo edhe pesëmbëdhjetë vitet e fundit”, thotë Ivanovski.

Marketing