Funksionarët e ASH-së hetohen për korrupsion

Policia po heton dy tenderë që ka lidhur komuna e Vrapçishtit me kompaninë nga Gostivari “Alliance Invest”.

Marketing

Bëhet fjalë për kontrata me vlerë mbi gjysmë milioni euro. Ministria e Brendshme nga komuna kërkon tërë dokumentacionin e tenderit, nga publikimi deri në lidhjen e marrëveshjes. Njëri tender është për rindërtimin e objektit të komunës në Vrapçishtë. Kontrata ka vlerën 215 mijë euro. Është lidhur me 7 nëntor të vitit të kaluar.

Sipas informatave të Byrosë së Prokurimit Publik, tre ndërmarrje kanë aplikuar për rindërtimin e objektit të vetëqeverisjes lokale në Vrapçishtë, por më e ulët ka qenë oferta e “Alliance Invest”. Tenderi i dytë për të cilin Ministria e Brendshme kërkon informacione të hollësishme, që po ashtu e ka fituar “Alliance Invest” është për rindërtimin e Shtëpisë së kulturës “Shota” në vendbanimin Negotinë në komunën e Vrapçishtit. Edhe në këtë thirrje publike janë paraqitur tre kompani. Por sërish ka fituar “Alliance Invest” sepse kishte ofertën më të ulët. Është nënshkruar kontratë në vlerë prej 353 mijë euro më 26 shtator të vitit të kaluar. Në të dy procedurat e tenderit, nuk është kryer ankand elektronik, i cili do t’i lejonte kompanitë të ofrojnë oferta të ndryshme dhe çmimi i shërbimit të ulet më tepër.

Përveç këtyre dy tenderëve që janë subjekt i interesit të Departamentit për Kriminalitet Ekonomik në Gostivar, “Alliance Invest” ka lidhur edhe një marrëveshje tjetër me komunën e Vrapçishtit. I njëjti nuk hetohet, dhe ka të bëjë me rindërtimit e shkollës së mesme në vendbanimin Negotinë dhe peshon pothuajse 53 mijë euro.

Të dhënat e Byrosë së Prokurimit Publik tregojnë se në vetëm tre muaj, nga shtatori deri në dhjetor të vitit të kaluar – “Alliance Invest” ka lidhur tre kontrata me vlerë mbi gjysmë milion euro. Sipas Byrosë së Prokurimit Publik, menaxher i kompanisë nga Gostivari është Belma Memedi, e cila i ka nënshkruar kontratat, ndërsa “Alliance Invest” është në pronësi të Radife Nezirit. Marrëveshjet në emër të komunës së Vrapçishtit i ka nënshkruar kryetari Isen Shabani.