Disa portale maqedonase të afërta me opozitën kanë nisur një fushatë kundër përfshirjes së shqiptarëve në njësinë famoze “Tigrat” të MPB, që nuk ka asnjë shqiptarë dhe që etnikisht është e pastër me maqedonas, por duke pasur në radhët e saj edhe pjesëtarë të komunitetit serb.

Më 15 maj të këtij viti është hapur konkursi intern brenda MPB për pranimin e shqiptarëve apo fillimisht vetëm një kandidat në radhët e kësaj njësie. Ndërsa, portalet maqedonase zbulojnë edhe emrin e kandidatit të parë që do të jetë në radhët e kësaj njësie. Bëhet fjalë për Llokman Selimi, nga Haraçina, i punësuar në MPB. Selimi thuhet se do të jetë edhe zv/komandant i këtij njësiti. Ai ishte edhe protagonisti i natës së 27 prillit që si pjesëtar i Njësitit për ndërhyrje të Shpejtë kishte reaguar në shpëtimin e deputetëve të rrezikuar.

Portali Netpress ka shkruar se gjoja komandanti aktual i njësitit “Tigrat”, Mitko Danevski do të jepte dorëheqje nëse do të imponohej politikisht një shqiptar të bëhet zëvendës i tij në këtë njësi. Por kjo është lansuar edhe si spekulim. Po ashtu kundër përfshirjes së shqiptarëve është publikuar edhe një letër e një “Tigri” anonim që ka shkruar se është kundër përfshirjes së shqiptarëve, sepse këto vendime sipas tij të ndikuar nga politika do të rrënojnë sistemin e sigurisë të vendit.

Përfshirja e shqiptarëve do të bëhet edhe në Njësitin për Ndërhyrje të Shpejtë, ku pritet të pranohen 20 pjesëtarë dhe zv/komandanti i kësaj njësie të jetë shqiptar.(INA)