Futsal Shkupi I Gatshëm Për Ndeshjet E Ligës Së Kampionëve

Nga data 28 deri me 31 gusht, Futsal Shkupi do të jetë nikqoir i turneut parakualifikues të Ligës së Kampionëve në futsal, aty ku do të marrin pjesë edhe skuadrat kampione të Uellsit, Kardif, të Andorës, Enkamp dhe Letonisë, Lokomotiv Duagavpils, njofton “infOSport.mk”.

Marketing

Pikërisht këta të fundit pritet të jenë rivalët kryesor të skuadrës kampione të Futsal Shkupit, gjë të cilën në konferencën e sotme të organizuar për gazetarë, e potencoi edhe vetë trajneri Zoran Lekiq.

“Për ekipin letonez, tek të cilët shohim edhe rivalin kryesor për atë pozitën e parë, jeni në dijeni se janë përforcuar me disa futbollistë nga Rusia, mirëpo duke ditur situatën edhe neve kemi arritur që të marrim më të mirë nga liga jonë në Maqedoni. Kemi marrë futbollistë që kanë cilësi dhe që janë dëshmuar në futsalin vendor. Sipas meje lufta kryesore në grupin tonë do të jetë midis Lokomotiva Duagavpils dhe Futsal Shkupit” – u shpreh trajneri i Futsal Shkupit, Zoran Lekiq, i cili këtë vit me skuadrën nga Çairi kërkon të shkruaj historinë, duke u kualifikuar për në raundin e dytë.

“Për dallim nga vitete tjera neve këtë herë e kemi marrë shumë seriozisht punën dhe mund të them se asnjëherë nuk jemi organizuar  në këtë mënyrë për këtë turne, jo vetëm për atë se neve jemi nikoqir, por edhe për faktin se ne kishim edhe një trajner profesionist për përgatitje fizike dhe deri më tani kemi bërë 28 stërvitje. Pra në anën fizike dhe tekniko – taktike jemi munduar që të përgatitemi sa më mirë me qëllim që raundin e parë ta kalojmë dhe të bëjmë një hap para, të arrijmë suksesin më të madh në historinë e Futsal Shkupit. Për këtë periudhë të shkurtër neve kemi arritur shumë, mirëpo duke iu falënderuar drejtuesve të klubit dhe gjithë personave të angazhuar në klub shkojmë hap pas hapi dhe shpresojmë se do ta kalojmë edhe këtë raund parakualifikues” – u shpreh Lekiq.

Ndeshjen eparë Futsal Shkupi do ta zhvillojë me 28 gusht kundër skuadrës së Kardif nga Uellsi me fillim në ora 20:00, ndërsa ndeshja e parë është ajo midis Lokomotiv Duagavpils dhe Encamp (17:30h).

Të gjithë ndeshjet e këtij turneu parakualifikues të Ligës së Kampionëve do të zhvillohen në palestrën “Kale” në Shkup.