Futsal Shkupi, kjo skuadër që po i bënë krenar gjithë shkupjanët

Futsal Shkupi sonte edhe zyrtarisht festoi titullin e dytë kampion në historikun 5-vjeçar të themelimit. Ishte viti 2014, kur disa djelmosha nga Çairi kishin vendosur të themelojnë klubin me emrin që përfaqëson Shkupin shqiptarë, ndërsa që në vitin e tyre të parë garues, ata arritën që të shpallen kampion, duke siguruar një vend për në Ligën e Parë të Futsalit, njofton “infOSport.mk”.

Sezoni i parë (2015/2016) në mesin e më të mirëve i nxorri ata nënkampion, duke dhënë shenjat e para të një skuadre serioze, e cila që në sezonin e saj të dytë (2016/2017) në Ligën e Parë të Futsalit arriti që të shpallet kampion, duke bërë që Velesi të pajtohet me vendin e dytë, edhe pse kjo skuadër ishte e përbërë nga 90% i përfaqësueses së Maqedonisë.

Edicioni 2017/2018 këta djelmosha i pa nënkampion, edhe pse për titullin e kampionit vendosi vetëm ndeshja e fundit në Veles, në parketin e rivalit kryesor, për titull. Ndeshja në fjalë ishte mbyllur me barazimin 3:3, ndërsa edhe përkundër presionit të madh nga ana e tifozëve, por edhe ndërprerjes së ndeshjeve në dy raste e njëjta në fund u regjistrua me rezultatin e arritur, ndërsa Futsal Shkupi në fund humbi titullin vetëm për një pikë, transmeton “infOSport.mk”.

E gjithë kjo mobilizoi edhe më shumë drejtuesit e skuadrës nga Çairi, me në krye drejtorin Besim KOKA,  dhe dy bashkëpunëtorët, Agron FAZLIJA dhe Mensur FAZLIJA, të cilët  skuadrës arritën t’ia plotësojnë të gjitha kushtet, fillimisht me financa, dhe më pas edhe me sjelljen në skuadër të disa lojtarëve cilësorë, e që në fund rezultoi me titullin e dytë kampion, që u arrit në mënyrë impresionuese. Skuadra nga Çairi këtë vit rivalin kryesor për titull e mundi në 4, nga gjithsej 5 ndeshje, duke u shpallur në fund me meritë kampion me plotë 78 pikë.

evn