Policia ka ndaluar vetëm pesë persona për ofendimet që i bënë shqiptarëve dhe funksionarëve shtetërorë nga sheshi i Shkupit natën kur festohej fitorja e Vardarit. Ministri i brendshëm Oliver Spasovski tha se vazhdon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në kryerjen e veprës “Prishje të qetësisë dhe rendit publik” ndërsa pohon se për informatat e siguruara e kanë njoftuar edhe Prokurorinë.

Kemi dorëzuar njoftim. Në lidhje me atë rast, ju e dini se kishte prishje të rendit dhe qetësisë publike, janë ndaluar 5 persona të cilët janë të mitur, ndaj tyre po merren masa, po bëhen inspektime për të tjerët -tha Oliver Spasovski, Ministër i Punëve të Brendshme.

Nga Prokuroria nuk përgjigjen se ndaj sa personave do të fillojë hetimi, apo nëse edhe ka filluar ose jo. Prokuroria Themelore dje për Alsat tha se ende nuk ka marrë asnjë kallëzim apo njoftim nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Megjithatë, ata pohojnë se vëmendshëm po i ndjekin gjitha informacionet dhe zhvillimet në lidhje me ngjarjet e fundit të përdorimit të gjuhës së urrejtjes. Ministri i brendshëm Spaskovski bën thirrje që të mos përsëriten raste të njëjta, ndërsa thotë se edhe nëpër institucione ka njerëz të frustruar që për arsye të ndryshme, shpërndajnë gjuhën e urrejtjes.

Ne e kemi të patjetërsueshme që seriozisht të punojmë në ngritjen e vetëdijes dhe kulturës dhe siç theksova, edhe në institucione ka prezencë të vogël të njerëzve të cilët për arsye të tyre personale, qoftë politike apo nga motive të tjera, shpërndajnë gjuhë të urrejtjes me të cilën na dëmtojnë të gjithë neve – deklaroi Oliver Spasovski – Ministër i Punëve të Brendshme.

Ditë më parë, nga klubi i hendbollit “Vardar”, thanë se distancohen dhe si dënojnë ofendimet dhe fyerjet që u kënduan natën kur ekipi i tyre u shpall kampion i Evropës.