Fyerjet ndaj shqiptarëve, policia identifikon disa pjesëmarrës

Policia e Maqedonisë nëpërmjet video –incizimeve ka identifikuar një pjesë të personave të cilët kanë shpërndarë gjuhë të urrejtjes dhe kanë gjuajtur mjete të forta ndaj diplomatëve të huaj dhe delegacionit shtetëror gjatë manifestimit në Meçkin Kamen, njofton Portalb.mk.

Marketing

Shumë prej tyre janë ftuar në dëgjim, të tjerët po identifikohen në vazhdim, dhe pas kompletimit të dokumentacionit, Ministria për Punë të Brendshme (MPB) do t’i dorëzojë në Prokurorinë Themelore Publike (PTHP).

Pjesëmarrës në incidentin në Meçkin Kamen ka qenë edhe një ushtar profesional Ministrisë së Mbrojtjes, dhe kjo e fundit ka njoftuar se tashmë ka formuar komisioni i cili do të caktojë sanksionin ndaj të njëjtit.

Nga Kabineti i Presidentit të Maqedonisë – Gjorge Ivanov kanë shprehur keqardhje për incidentin, por që nuk e kanë dënuar gjuhën e urrejtjes.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar ndaj ngjarjes së ndodhur në Krushevë, ku në ceremoninë e festimit të kryengritjes së Ilindenit, në Meçkin Kamen janë përdorur gjuha e urrejtjes dhe thirrjet raciste antishqiptare.

“Besojmë se këto janë veprime të një grupi të vogël njerëzish të nxitur nga ndjenjat nacionaliste ekstreme dhe shpresojmë që incidente të tilla që ndjellin urrejtje ndëretnike të mbeten të izoluara. MEPJ i bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të hetojnë nxitësit e dhunës dhe vendosjen e tyre para drejtësisë. Shqipëria dhe shqiptarët kanë qenë dhe do të jenë miq të përhershëm të Maqedonisë. Ne besojmë në vlerat e bashkëjetesës, në harmoninë dhe bashkëpunimin midis vendeve e qytetarëve tanë”, thuhet në reagimin e MEPJ-së shqiptare.