Ambasadorja e Britanisë së Madhe në Maqedoni Rejçëll Gellouej inkurajon Parlamentin që të vazhdojë me procesin e ndryshimeve Kushtetuese, por dëshiron që gjatë kësaj rruge, të shohë edhe reformat në sferën e gjyqësorit dhe luftimin e korrupsionit. Gjatë intervistës javore në Radion Evropa e Lirë, Gallouej inkurajoi edhe Qeverinë edhe Opozitën të bashkohen për të çuar para procesin e ndryshimeve kushtetuese.

“Mendoj se Qeveria bëri një vendim të guximshëm duke tentuar ta zgjidhë çështjen e emrit. Marrëveshja e Prespës është shumë e rëndësishme. Tani po shohim se procesi po shkon përpara. Referendumi ishte një mundësi për të gjithë qytetarët e Maqedonisë që ta tregojnë qëndrimin e tyre. Tani procesi është në Parlament, prandaj inkurajoj të dy palët, edhe pozitën edhe opozitën që të kyçen në punën e Parlamentit në mënyrë konstruktive, dhe të arrijnë konsenzus për të vazhduar procesin e ndryshimeve kushtetuese”, deklaroi Rejçëll Gallouej, ambasadore e Britanisë.

Ambasadorja Gallouej kujtoi zotimet e Maqedonisë për reforma thelbësore që është konceptuar me planin 18, duke kujtuar se të gjithë këto zotime për reforma janë të domosdoshme nëse Maqedonia vërtetë dëshiron integrimin në NATO dhe BE.

“Reformat në gjyqësor, media dhe luftim të korrupsionit janë në majen e agjendës reformuese. Qeveria kohë më parë publikoi planin 18 që fokusohet në gjyqësor dhe antikorrupsion. Do donin të shihnim përparim gjatë muajve në vazhdim. Plani i reformave është i publikuar dhe ne kemi konstatuar se tashmë disa reforma kanë filluar por duhet më shumë mund dhe punë. Ne jemi të gatshëm për bashkëpunim me Qeverinë dhe administratën për reformat në këto fusha”, shton më tej ajo.

Ambasadorja britanike në Shkup kujtoi se sundimi i së drejtës në Maqedoni ka një rëndësi jetike, prandaj inkurajoi Maqedoninë që të fillojë me praktikën e llogaridhënies së të gjithë atyre që e kanë shkelur ligjin që të shërbejë si shembull. Ky hap sipas saj, do ishte tejet i rëndësishëm në procesin e reformave në gjyqësor.