GANIU: Më shumë sport më pak fenomene destruktive

Në Shkollën fillore, “Hasan Prishtina”, ish-“Cvetan Dimov”, janë mirëpritur, Ambasadorja e Britanisë së Madhe, Rachel Galloway dhe kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu. Ata para fëmijëve të etnive të ndryshme të cilët garonin me njëri-tjetrin në lojë shahu folën për fenomenet destruktive dhe ekstremizmin.

Marketing

Visar Ganiu tha se në një shoqëri multi-etnike, sporti i bashkon të gjithë njerëzit pa dallime.

“Kuptohet që sporti është njëri ndër ata që afron dhe bashkon në këtë shoqëri, multi-etnike. Ne ndihemi me të vërtetë mirënjohës që ky projekt përfshinë pikërisht shkollat e Çairit. Pasi edukimi i brezit të ri në frymën pro- perëndimore dhe në mbjelljen e dashurisë së tyre për sportin si lëmi e zhvillimit të shëndoshë fizik dhe psikik do të pamundësojë depërtimin e fenomeneve devijuese” deklaroi Visar Ganiu, kryetar i Komunës së Çairit.

Ambasadorja britanike Galloway, falënderoi drejtuesit e institucioneve për përkrahjen e programeve të kësaj natyre.

“Si ambasadore britanike në Republikën e Maqedonisë së Veriut, më vjen mirë që mund të përkrahim një projekt që në mënyrë të drejtpërdrejtë ndikon në jetët e njerëzve. Diversiteti është fuqia e çdo shoqërie”, tha Rachel Galloway.

Drejtoresha Lulieta Qerimi falënderoi ambasadoren Galloway dhe kryetarin Ganiu që zgjodhën pikërisht shkollën “Hasan Prishtina” për të promovuar fushatën kundër ekstremizmit.

“Vetë fakti që të dy shkollat janë multi-etnike, e tregon edhe qëllimin e organizatës të mbështetur nga ambasada britanike si dhe nga ambasada e mbretërisë së Holandës, e cila ka të bëjë me paraqitjen e aktiviteteve të nxënësve nëpërmjet garës së shahut. Garë të cilën e luajnë të gjithë nxënësit mirë pa marrë parasysh se cilit etnitet i takojnë”, shtoi Lulieta Qerimi.

Si ambasadorja po edhe kryetari Ganiu premtuan se do të bëjnë të pamundurën për të luftuar largimin e njerëzve nga fenomenet destruktive, por që të dy kërkuan bashkimin e forcave shoqërore kundër fenomeneve siç është ekstremizmi i çfarëdollojshëm.