Ambasadori britanez në Shkup, Çarls Garet në emisionin e mbrëmshëm “Click Plus” që emetohet në Tv21, ka theksuar se gjatë mandatit të tij si ambasador në Maqedoni kanë ndodhur shumë ngjarje me përmasa tragjike.

Ai tha se ngjarjet në Kumanovë ku humbën jetën 18 persona, ishte një moment i rëndë për Maqedoninë.

“Gjatë mandatit tim ndodhi edhe hyrja e dhunshme në Kuvend që hapi shumë çështje dhe shkaktoi tensione. Edhe mes tyre kishte momente të rënda, psh kriza me abolimet. Periudha ishte e rëndë dhe ishte vështirë të menaxhohej. Kush mundet me bindje të thotë se çfarë ndodhi në Kumanovë. E di që ka dyshime dhe tregime për atë se si ka ndodhur, supozime, dikush thonë se 99% sigurt ka ndodhur ashtu apo kështu, por kur diçka serioze ndodh, duhet tërësisht të kuptohet, të mësohen leksionet që ndodhi të tilla të mos ndodhin në të ardhmen. Kjo është shumë me rëndësi”, tha Garet.