Gashi priti në takim ambasadorin e Francës

Ambasadori i Francës, Siril Bomgartner ka realizuar takim me kryetarin e Alternativës, Afrim Gashi. Ambasadori nuk shpaloi shumë detaje nga takimi, vetëm tha se ka qenë një takim tejet i frytshëm dhe se kanë diskutuar për vazhdimin e bashkëpunimit mes Maqedonisë së Veriut dhe Francës.

Marketing

“Alternativa është një parti që e begaton skenën politike të Maqedonisë së Veriut, me të cilën ne në cilësinë e Ambasadës së Francës kemi kultivuar raporte të shkëlqyera. Dua që të vazhdojmë me këtë kontinuitet, çfarëdo qoftë ajo, qoftë për nivelin e brendshëm në vend apo për nivelin e jashtëm. Dialogu mes nesh mund të na shpjerë drejtë gjërave që janë substanciale dhe tejet të frytshme”, deklaroi Siril Bomgartner, ambasador i Francës.

Kryetari Gashi deklaroi se Franca çdoherë ka qenë shtet mik i vendit tonë dhe se ka qenë aty për t’i ndihmuar ku ka qenë nevoja.

“Unë kërkova që ta vazhdojmë bashkëpunimin edhe si shtet, por edhe si parti politike me këtë shtet, sidomos në fazën e cila Maqedonia tash do të futet në procesin e negociatave me BE-në për implementimin e vlerave dhe standardeve evropiane në vendin tonë. Mendojmë se një shtet i fuqishëm, një shtet me vlera të larta demokratike, kulturore, intelektuale siç është Franca, për neve është një udhërrëfyes shumë i rëndësishëm në ecejaken tonë si shtet dhe si shoqëri”, deklaroi Afrim Gashi, kryetar i Alternativës.

Më tej ai shtoi se ky është takimi i parë me ambasadorin e ri, por se edhe në të kaluarën me Ambasadën e Francës kanë pasur raporte të shkëlqyera.

Marketing