Termocentrali i vetëm elektrik në Rripin e Gazës po mbaron karburantin dhe do të ndalojë punën brenda disa ditësh, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Izraeli po bllokon hyrjen e karburantit në termocentralin në Gaza”, tha Mohammad Thabet nga Kompania për Shpërndarjen e Energjisë Elektrike në Gaza, në një konferencë për media në Gaza.

Ai bëri thirrje për presion mbi Izraelin për të rihapur kalimin Kerem Shalom, kalimi i vetëm funksional komercial i Gazës, për të lejuar hyrjen e karburantit në territorin palestinez.

“Karburantet e disponueshme janë të mjaftueshme për të operuar termocentralin vetëm për dy ose tri ditë”, tha Thabet.

Thabet vlerësoi humbjet e kompanisë për shkak të sulmeve të vazhdueshme izraelite në Rripin e Gazës në rreth 8 milionë dollarë.

Të paktën 200 palestinezë e kanë humbur jetën, përfshirë 58 fëmijë dhe 34 gra, në sulmet izraelite në Rripin e Gazës që nga java e kaluar ndërsa më shumë se 1.235 janë plagosur dhe dhjetëra ndërtesa janë shkatërruar ose dëmtuar në sulmet izraelite.

Dhjetë izraelitë gjithashtu kanë humbur jetën në raketat e lëshuara nga Rripi i Gazës drejt Izraelit.



. .