Gir: Rregullorja e BE-së, ndalon ndarjen e përkatësisë fetare dhe etnike në letërnjoftime

Euroambasadori Dejvid Gir lidhur me atë nëse ligji për letërnjoftime dhe futja e përcaktimit etnik është konform rregullores evropiane, ka thënë se rregullorja kryesore e BE-së kur bëhet fjalë për këtë çështje është rregullore e përgjithshme për mbrojtjen e të dhënave personale që e ndalon ndarjen e të dhënave personale si përkatësia racore apo etnike si dhe përkatësia politike dhe fetare.

Marketing

“Në BE, letërnjoftimet për momentin janë ende të rregulluara nga ana e shteteve anëtare, por rregulloren që e përmenda që i përmban rregullat e para që iu përkasin këtyre dokumenteve në nivel të Unionit do të hyjë në fuqi në gusht 2021”, ka thënë Gir në konferencën e përbashkët me ministrin e Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi me rastin e kryesimit të vendit me CEFTA-n.

Ambasadori Gir ka shtuar se harmonizimi i legjislaturës së vendit me rregullat dhe standardet e BE-së është proces i rëndësishëm dhe se BE çdoherë e ka inkurajuar Maqedoninë e Veriut të arrijë progres në këtë fushë pasi siç tha, “kjo është një nga punët e para që do të vlerësoheshin gjatë fillimit të këtyre negociatave”.

Lidhur me implementimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR rreth Kodit zgjedhor, Gir ka thënë që ky proces të zbatohet me kohë, ose siç ka shtuar “mjaft kohë para zgjedhjeve”.

“Në tetor 2020, KE e ka publikuar raportin për progresin e Maqedonisë së Veriut lidhur me implementimin e standardeve evropiane ku e ka tërhequr rëndësinë e ndryshimeve në Kodin zgjedhor konform rekomandimeve të ODIHR dhe Komisionit të Venecias që duhet me kohë të realizohen. Me rëndësi është që ky proces tani vazhdon, por me rëndësi është të zbatohet në kohë, ose në kohë të mjaftueshme para zgjedhjeve. Ekzistojnë grupe pune që punojnë në këtë çështje, por me rëndësi është të ndiqen standardet e ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias, ka nënvizuar ambasadori Gir.

Marketing