Shtatë ministrat e parë më të pasur të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë kanë deklaruar se posedojnë pronë me vlerë prej 35 milionë eurosh. Pa konkurrencë, funksionari më i pasur me pronë prej 30 milionë eurosh është Koço Angjushev, Zëvendës-Kryeministri i Qeverisë, përgjegjës për çështjet ekonomike dhe koordinimin me resorët ekonomikë. Përveç në Shkup, Angjushev posedon një banesë në Beograd dhe një shtëpi në Greqi. Stolia e arit, orët e tija të dorës, pikturat dhe skulpturat artistike janë me vlerë prej 240.000 eurosh. Flota e makinave të Angjushevit është e jashtëzakonshme dhe përbëhet nga Maserati GT, Porsche Cayenne dhe Mini Countryman, si dhe Varka me motor Regal. Angjushev fiton të ardhura nga dhënia me qira e dy lokaleve afariste dhe dy banesave, ndërsa posedon edhe pesë depozita në denarë. Ai ka realizuar të ardhura edhe nga shitja e pjesës prej 10 për qind të pronësisë së kompanisë “Fero Invest”.

Ministri 39-vjeçar i Ekonomisë, Kresnik Bekteshi, është ministri i dytë më i ri në garniturën qeveritare, por njëkohësisht i dyti sipas pasurisë të cilën ka deklaruar se e posedon. I propozuar nga Bashkimi Demokratik për Integrimin (BDI), Bektashi në kreun e këtij resori është emëruar nga viti i kaluar. I lindur në Kërçovë dhe me diplomë nga Universiteti Shefild nga Britania e Madhe, ai në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) ka deklaruar se posedon një pronë me vlerë prej 2 milionë eurosh. Përveç se posedon një tokë dhe një shtëpi në Kërçovë, ka edhe tri makina. Prindërit e tij, përveç shtëpisë në Prishtinë (Kosovë), kanë dy banesa në Kavajë (Shqipëri), një banesë në Bazel (Zvicër), si dhe tri toka dhe një hapësirë afariste në Kërçovë.

ÇFARË NUK ËSHTË DEKLARUAR?

Aksel Ahmedovski, ministër pa resor, përgjegjës me implementimin e Strategjisë për përmirësimin e gjendjes së romëve në Republikën e Maqedonisë, aspak nuk e ka deklaruar pronën e tij.
Ministrat Tevdovski, Dimitrov, Deskovska, Filipçe, Mançevski, Sheqerinska dhe Sugarevski nuk e kanë deklaruar pronën e prindërve të tyre.
Përveç kësaj, Ministrja e Drejtësisë, Deskovska nuk ka deklaruar vlerën e pronës për 19 nga gjithsej 23 shkallë që kanë të bëjnë me: honorarët e autorit, kontratat mbi vepër, llogarinë devizore, librezat e kursimeve dhe kartelat e pagesës, si dhe prejardhjen e kësaj pjese të pronës.

I treti në listë është Hazbi Lika, Zëvendës-Kryeministri i Qeverisë, përgjegjës për zbatimin e Marrëveshjes Kornizë dhe sistemit politik. Vlera e pronës së tij të deklaruar është 1.123.800 euro. Lika, si pronë personale, ka deklaruar pagën mujore për të cilën nuk ka deklaruar vlerën e saj dhe kredinë në vlerë prej 54.000 eurosh, të cilën duhet ta paguajë deri në vitin 2028. Prona tjetër i takon vëllait të tij, prindërve të tij dhe gruas së tij.

I katërti në listën e anëtarëve më të pasur të qeverisë është Nikolla Dimitrov nga Ministria e Punëve të Jashtme. Ai ka deklaruar se ai posedon një pronë me vlerë prej 830 mijë eurosh. Ai ka një banesë në Shkup dhe posedon një makinë “Mercedes B180”. Megjithatë, ai me bashkëshorten e tij posedon edhe një banesë në Hagë (Holandë), kanë edhe dy libreza të kursimeve të devizave dhe një kredi prej 280.543 eurosh.

Kryeministri Zoran Zaev është i pesti në listë me pronë të deklaruar në vlerë prej 700 mijë eurosh. Por, në emrin e tij figuron vetëm kërkesa për rreth 70 mijë eurosh. Depozita e afatizuar devizore prej 7 mijë eurosh është në emrin e bashkëshortes së tij, ndërsa 27 mijë eurot janë deklaruar në llogaritë e fëmijëve të tij. Shtëpia, hapësira afariste, banesa në Strumicë, toka bujqësore në Murtinë dhe aksionet në vlerë prej 200 mijë eurosh i takojnë prindërve të tij.

Vendi i gjashtë, sipas pasurisë, i takon Ministrit të Kulturës, Asaf Ademi, i cili ka deklaruar pronë në vlerë prej 520 mijë eurosh, por nuk ka asgjë në emrin e tij. Prindërit e tij posedojnë një shtëpi me hapësirë afariste dhe një oborr në Gostivar, makinë “Renault 9”, qira nga një hapësirë afariste prej rreth 300 eurosh në muaj dhe një kredi prej rreth 20 mijë eurosh. Bashkëshortja e tij drejton një makinë “BMW 530D”.

MAKINA MODESTE, POR PIKTURA TË SHTRENJTA ARTISTIKE

Hulumtimi i SCOOP-it në kuadër të projektit “Personat e eksponuar politikisht” tregon se funksionarët në Maqedoni posedojnë pasuri të ndryshme. Shtëpi, banesa, automobila, kullota, toka ndërtimore, por edhe kredi dhe depozita janë pjesë e gjërave që janë në listat e deklaruara në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.

Makina të tipit Mercedes, BMW dhe nga ndonjë Golf vozisin ministrat aktualë. Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska është e vetmja nga ministrat aktualë e cila nuk ka automobil. Për dallim nga ajo, familjet e ministrave Kreshinik Bekteshi, Suhejl Fazliu , Arbër Ademi dhe Mila Carovska posedojnë nga tri makina. Nga dy makina posedojnë Oliver Spasovski, Sadulla Duraku, Venko Filipçe, Ljupço Nikollovski, Asaf Ademi dhe Renata Deskovska, ndërsa nga një makinë kanë Nikolla Dimitrov, Damjan Mançevski, Goran Sugarevski dhe Dragan Tevdovski.

AUTOMOBILAT E VËLLEZËRVE DHE MOTRAVE TË MINISTRAVE

Vëllai i ministrit Ljupço Nikollovski – “Fiat Stilo” me vlerë prej 3.000 eurosh.
Motra e ministrit Suhejl Fazliu – “Audi A2” për të cilën nuk është shkruar vlera.
Vëllai i ministrit Arbër Ademi – tri makina: makina transportuese “Citroen Jumper” me vlerë prej 4.062 eurosh, “Volkswagen Crafter” me vlerë prej 6.499 eurosh dhe “Volkswagen Passat” me vlerë prej 6.499 eurosh. Të gjitha këto tri makina janë me vlerë prej rreth 17.000 eurosh.
Vëllai i ministres Mila Carovska – “Honda Accord” me vlerë prej 5.800 eurosh.
Në mesin e ministrave ka edhe dashamirës të artit. Radmilla Sheqerinska ka pikturën artistike “Gabelja” nga Nikolla Martinovski. Sepse për të njëjtën nuk është shkruar vlera e saj, ekipi i SCOOP-it kërkoi një përgjigje nga ministrja për vlerën e pikturës së ministres.

“Piktura artistike “Gabelja” nga Nikolla Martinovski është në pronësi të familjes më shumë se 40 vjet, ndërsa ministrja e ka fituar si trashëgim nga gjyshja dhe gjyshi i vdekur, kështu që familja nuk ka të dhënë për vlerën e saj”, thuhet në përgjigjen e kabinetit të Sheqerinskës.

Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Oliver Spasovski, ka deklaruar se posedon piktura artistike me vlerë prej rreth 4.000 eurosh, por pa dhënë informacione se si i ka fituar ato.

Bashkëshortja e ministrit Arbër Ademi ka stoli ari në vlerë prej rreth 5.000 eurosh, ndërsa ministrja Renata Deskovska ka metale të çmuara në vlerë prej rreth 9.000 eurosh.

MË TË PASUR, BASHKËSHORTËT E SHEQERINSKËS DHE TEVDOVSKIT

Radmilla Sheqerinska Jankovska (BASHKËSHORTI) 256.033 euro (Llogari devizore 515 euro, Librezë kursimesh në denarë 16.275 euro, Llogari transaksioni 1.892 euro, Llogari transaksioni 4.575 euro, Kredi 7.210 euro, Kartelë kreditore 6.332 euro, Kartelë kreditore 4.264 euro, banesë 214.970 euro, për dy banesa të bashkëshortit nuk ka shkruar vlerë)

“Vlera e banesës në Ohër, pronë e partnerit martesor të fituar në vitin 2006, është 55.620,00 euro. Vlera e banesës në Shkup, pronë e partnerit martesor të fituar me marrëveshje për dhuratë nga prindërit, është 65.619,00 euro”.
Dragan Tevdovski (BASHKËSHORTJA) – 20.499 euro depozitë devizore
Sadulla Duraku (BASHKËSHORTJA) – 16.927 euro (tokë bujqësore në vlerë prej 14.979 eurosh dhe një makinë motorike 1.948 euro)
Asaf Ademi (BASHKËSHORTJA) – 14.614 euro (vlera e makinës “BMW”)
Arbër Ademi (BASHKËSHORTJA) – 10.740 euro – (Makina “Volkswagen Golf 5” – 4.871 euro, depozita e afatizuar në denarë me vlerë prej 998 eurosh dhe metale të çmuara me vlerë prej 4.871 eurosh).
Oliver Spasovski (BASHKËSHORTJA) – 487 euro – kartela e pagesës në denarë
Damjan Mançevski (BASHKËSHORTJA) – 2.896 euro (libreza e kursimeve të devizave me 3.293 franga zvicerane ose 2.896 euro)
Venko Filipçe (BASHKËSHORTJA) – 3.431 euro – Makina Mazda 2
Renata Deskovska (BASHKËSHORTI) – 1.625 euro (vlera e makinës Lanos)

PRINDËRIT ME PRONË EDHE JASHTË VENDIT

Tevdovski, Dimitrov, Deskovska, Filipçe, Mançevski, Sheqerinska dhe Sugarevski nuk kanë deklaruar pronën e prindërve të tyre.

Nga ministrat të cilët kanë deklaruar pronën e prindërve të tyre, pronën më të vlefshme e posedojnë prindërit e ministrit Kresnik Bekteshi, me vlerë prej mbi 660 mijë euro, të cilët janë njëkohësisht prindërit e vetëm me prona jashtë vendit, gjegjësisht dy banesa në Kavajë (Shqipëri) dhe një shtëpi në Prishtinë (Kosovë).