Gjendje alarmante në Kërçovë, evidentohen 11 raste të reja me Kovid 19

Gjatë ditës së sotme në Spitalin e përgjithshëm në Kërçovë janë evidentuar 11 raste të reja me Kovid 19. Ky është numri më i madh i rasteve brenda një dite që është regjistruar në Kërçovë që nga fillimi i pandemisë.
Në Kovid Qendrën e Spitalit të Përgjithshëm në Kërçovë gjatë ditës së sotme, janë realizuar 30 testime, prej të cilëve 11-të kanë rezultuar pozitiv. Prej tyre dhjetë pacientë janë shtruar për trajtim në ambientet spitalore dhe ato janë nën përkujdesjen e infektologëve, thotë Dr. Stanko Tërpeski, drejtor i Spitalit të Përgjithshëm në Kërçovë, i cili shton se situata shëndetsore është rënduar dukshëm sidomos gjatë ditëve të fundit, sepse sipas tij, vetëm gjatë ditës së sotme kemi 11 raste të reja që janë zbuluar nga testimet në kovid Qendrën e Kërçovës, duke mos përfshirë këtu rezultatet e testimeve në qendrat tjera klinike.
Sot janë pranuar për trajtim edhe 10 pacientë të prekur, dhe numri i të shtruarve për shërim në ambientet e Kovid Qendrës së Kërçovës, tani ka arritur në 20 pacientë, nënvizon ai. Duke pasur parasysh rritjen e numrit të pacientëve të infektuar në baza ditore, drejtori Tërpeski, bën thirrje për një kujdes të shtuar dhe respektimin e masave të vendosura nga organet kompetente për të tejkaluar këtë situatë alarmante të krijuar ditëve të fundit në rajonin e Kërçovës.
Nga ana tjetër, organet policore njoftojnë se gjatë 24 orëve të fundit në komunën e Kërçovës, janë konstatuar  24 shkelje të rregullativës ligjore që ka të bëjë me mosrepektimin e masave mbrojtëse kundër virusit korona.