Gjermani/ Dorëhiqet kreu rajonal, u zgjodh me votat e neonazistëve

Thomas Kemmerich, eksponent i liberalëve gjermanë, i porsazgjedhur kryeministër i landit të Turingjisë falë votave të partisë së ekstremit të djathtë, AfD, ka dhënë dorëheqjen.

Marketing

Drejtuesit e CDU-së, me në krye kancelaren Angela Merkel e kishin kritikuar shumë fort zgjedhjen e tij. Partia e shefes së ekzekutivit gjerman, deri dje, kishte refuzuar gjithmonë çdo lloj marrëveshjeje me “lëvizjet nostalgjike” ndaj të shkuarës naziste të vendit. Në disa media vendase, triumfi i Kemmerich në këto kushte, u përshkrua si “turp”. Vetëm një javë më parë, Bundestagu gjerman përkujtoi viktimat e Holocaustit, duke marrë shkas nga 75 vjetori I çlirimit të kampit të përqendrimit në Auzhvic.

Tani mbërriti lajmi se në Turingji, një kryeministër i ri i partisë liberal-demokrate FDP u zgjodh me ndihmën e votave të ekstremit të djathtë. Një zgjedhje, sipas DW, që tregon se politikanët e CDU dhe FDP të këtij landi, nuk e kanë kuptuar përgjegjësinë e tyre historike. Në javët e ardhshme do të dëshmohet nëse fjalët e politikanëve kryesorë në Berlin, që kurrë të mos kërkojnë krijimin e shumicës me mbështetjen e AfD, qëndrojnë vërtet, apo dëshira për pushtet është më e fortë se logjika.