Gjermani, policia arreston personin që kërcënonte politikanët dhe gazetarët

Policia në Berlin ka arrestuar një gjerman 53-vjeçar nën dyshimet se ka dërguar dhjetëra letra kërcënuese për politikanë, avokatë dhe gazetarë, të nënshkruara me akronimin e një grupi të ekstremit të djathtë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Prokurorët në Frankfurt, të cilët po merren me çështjen, sot herët njoftuan se personi u arrestua të hënën në kryeqytetin gjerman.

I dyshuari, emri i të cilit nuk u bë i ditur për arsye të privatësisë, ka dënime të mëparshme për “krime të shumta, përfshirë ato që ishin të motivuara nga ideologjia e krahut të djathtë”, thanë prokurorët.

Marketing

Letrat mbanin të shënuar akronimin “NSU 2.0”, referencë për grupin “National Socialist Underground” që ishte përgjegjëse për një varg krimesh të dhunshme midis viteve 1998 dhe 2011, duke përfshirë vrasjet e motivuara raciste të nëntë burrave me prejardhje emigrante dhe një policeje.

Policia mendon se i dyshuari dërgoi gati 100 letra për dhjetera njerëz dhe organizata në gjithë Gjermaninë dhe Austrinë që nga viti 2018.

Agjencitë gjermane të sigurisë paralajmëruan për kërcënimin në rritje të ekstremizmit të dhunshëm të djathtë. Në korrik 2019, një politikan rajonal nga partia e kancelares Angela Merkel u vra nga një neonazist; tre muaj më vonë, një person i armatosur u përpoq të hynte me forcë në një sinagogë në Yom Kippur, duke vrarë dy njerëz.

Në shkurt të vitit të kaluar, nëntë njerëz me prejardhje emigrante u qëlluan për vdekje në Hanau, afër Frankfurtit, nga një person i armatosur që kishte bërë thirrje për gjenocid.



. .

Marketing