Gjermania organizon koncerte për të studiuar rrezikun nga koronavirusi

Shkencëtarët në Gjermani kanë organizuar tri koncerte të muzikës pop në lindje të qytetit Leipzig, për të studiuar rrezikun nga koronavirusi në ngjarjet e mëdha në hapësira të jashtme.

Marketing

Të gjithë pjesëmarrësit që kanë marrë pjesë në tri koncertet e ndara të këngëtarit gjerman Tim Bendzko, më 22 gusht, është dashur të kenë një rezultat negativ të testit për koronavirus.

Pjesëmarrësve u është matur temperatura e trupit para hyrjes në koncert. Të gjithë kishin vendosur maska FFP2 si dhe një pajisje elektronike që monitoronte lëvizjet e tyre në atë zonë.

“Ne duam të studiojmë se sa kanë pasur kontakt mes vete gjatë koncertit pjesëmarrësit – por ende nuk është e qartë”, tha Stefan Moritz, drejtues i hulumtimit nga Spitali Universitar në Halle.

Me anë të dezinfektuesve fluoreshentë, që u shpërndanë në koncerte, studiuesit përmes llambave ultravioletë mund të shohin se cilat hapësirë janë prekur më shumë me duar nga pjesëmarrësit.

Studiuesit kanë gjetur edhe lëvizjen e grimcave në ajër që mund të transmetojnë virusin.

Ata kanë marrë për bazë tre skenarë për të krahasuar mënyrat e uljes së rrezikut nga infektimi.

Skenari i parë përfshin koncertet si në kohën para pandemisë, derisa i dyti përfshin pjesëmarrësit që kanë përcjellë rekomandimet mjekësore.

Koncerti i tretë kishte një numër të limituar të pjesëmarrësve të cilët qëndronin 1.5 metra larg njëri-tjetrit.

Vetëm rreth një e treta e 4,200 vullnetarëve që studiuesit kishin shpresuar të tërhiqnin në koncert, kanë marrë pjesë në këtë ngjarje.

Qëllimi i studimit ishte për të zbuluar nëse koncertet dhe ngjarjet e tjera të mëdha mund të lejohen të rifillojnë duke shmangur rreziqet e infektimit.

Shumica e vendeve, përfshirë Gjermaninë, kanë ndaluar ngjarjet në masë për të shmangur përhapjen e virusit.

“Ka të bëjë me një qasje të bazuar në prova”, tha Michael Gekle, dekani i Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin Halle.

“Nëse dikush pyet tani se çfarë lloj rreziku është i përfshirë në një ngjarje si kjo, askush nuk e di”, tha Gekle. /Rel

Marketing