Spitali i Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Çair nuk do të jetë më ndotës i ajrit.

Gazeta KOHA merr vesh se Ministria e Shëndetësisë më 8 shkurt ka nënshkruar një projekt për vendosjen e një kaldaje të re në vlerë prej 13 milionë denarë, si parakusht teknik për përhapjen e tymit në ambient të hapur.

Këtë e konfirmoi edhe njeriu i dytë i kësaj ministrie, Asim Musa, i cili i hodhi poshtë të gjitha spekulimet se gjoja ky spital do të mbyllet nga ana e autoriteteve të Qytetit të Shkupit, si pasojë e ndotjes së ajrit. Megjithatë, Qytetit të Shkupit deri më tani nuk ka marrë ndonjë njoftim zyrtar për këto veprime të Ministrisë së Shëndetësisë dhe presin që Spitali i Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Çair përfundimisht të pajiset me kaldanë e re, e cila do të ishte një zgjidhje për parandalimin e tymrave nga oxhaqet e këtij spitali.

Zëdhënësi i Qytetit të Shkupit, Valon Saliu, ka ndjekur nga afër problemin dhe pret që autoritet kompetente, si të spitalit ashtu edhe të ministrisë përkatëse të veprojnë konform standardeve. Në Spitalin e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Çair janë të vetëdijshëm për pasojat që shkaktojnë tymrat që dalin nga oxhaqet e spitalit, andaj ata presin që në një afat të shkurtër të ndërrohe kaldaja, si pjesë enjë projekte që shkon përmes Ministrisë së Shëndetësisë. Zëdhënësi i këtij spitali, Ilir Shurdhani na njofton se po punohet që spitali të funksionojë normalisht, kurse furnizimi me ujë të ngrohtë për 4000 nënat dhe 4000 foshnjat të rrjedhë normalisht edhe pas ndërrimit të kaldajave.

Sikundër dihet, në këtë spital ka tre vite që oxhaqet punojnë pa filtra, sepse asnjë kompani nuk e ka marrë përsipër të garantojë për mirëfunksionimin e tyre, raporton KOHA. Spitali punon me të njëjtin sistem për ngrohje që kur është ndërtuar në vitin 1954. Mirëpo në të ardhmen ky problem do të tejkalohet falë angazhimit të zv.ministrit të Shëndetësisë, Asim Musa, i cili si prioritet në punën e tij ka pasur këtë projekt që përfundimisht do të parandalojë tymosjen nga oxhaqet e Spitalit Obstretrik dhe Gjinekologjik të Çairit. (koha.mk)