Gjithnjë e më pak shqiptarë në ekipin e Zvicrës, tërhiqet edhe Xhemaili

Blerim Xhemaili nuk do të luajë më për Përfaqësuesen zvicerane. Me kritika ndaj trajnerit Vladimir Petkoviq, ai tërhiqet nga ekipi helvet. Blerim Xhemaili pritet që të tërhiqet nga Përfaqësuesja zvicerane. Në një intervistë për “Neue Zürcher Zeitung”, mesfushori shqiptar i Bolonjës njoftoi tërheqjen e tij, transmeton Shtegu.com.

Marketing

“Për mua është e qartë se tashmë gjithçka është e kaluar”, tha Xhemaili. Sikurse kapiteni Stephan Lichtsteiner, Valon Behrami, Johan Djourou dhe Gelson Fernandes, edhe ai kishte pranuar një telefonatë në muajin gusht të vitit të kaluar nga Vladimir Petkoviq, në të cilën trajneri i ekipit kombëtar zviceran ia kishte treguar planet e tij për të ardhmen.

Edhe pse Petkoviq e kishte lënë të hapur çështjen nëse ai do ta angazhonte atë përsëri, ka pohuar Xhemaili për “NZZ”, informon Shtegu.com. “Por unë nuk e di nëse do të pranoja të kthehem. Unë kurrë nuk kam qenë ai që vetëm kam dashur të jem një numër. Doja që gjithnjë të jem i rëndësishëm për ekipin”. Për mënyrën e komunikimit të Petkoviqit mund të diskutohet ende, “por unë nuk jam ai që këto gjëra i marr kaq me shpirt”.

Ashtu sikurse edhe tashmë të larguarit Behrami dhe Fernandes, edhe Xhemaili nuk ishte pjesë e ekipit në vjeshtë, në kuadër të ndeshjeve të Lidhjes së Kombeve kundër Islandës dhe Belgjikës, si dhe në dy ndeshjet kontrolluese kundër Anglisë dhe Katarit.

I lindur në Maqedoni dhe i rritur në Cyrih, Xhemaili ka luajtur 69 ndeshje ndërkombëtare për Zvicrën, duke shënuar 11 gola. Angazhiimin e tij të fundit e kishte në raundin e Kupës së Botës, në vitin 2018, në ndeshjen e së tetës së finales kundër ekipit të Suedisë, të cilën Zvicra e humbi me rezultat 0:1. “U ndjeva krenar për të përfaqësuar Zvicrën, ajo ka bërë përparim të madh në dekadën e fundit. Dhe unë isha pjesë e saj”, ka përfunduar Xhemaili.

Marketing