Gjoba prej 200 euro për ndotësit

Ditëve të fundit, Kumanova së bashku me Shkupin dhe disa qytete tjera të Maqedonisë janë radhitur në mesin e vendeve më të ndotura në botë, sa i përket ndotjes së ajrit, duke kryesuar listën në vendet evropiane dhe botërore. Të dhënat nga matjet e cilësisë së ajrit tregojnë se niveli i grimcave PM10 gjatë këtyre ditëve ka arritur disa shkallë më lartë sesa masa e lejuar. Masa e lejuar e grimcave PM10 është 30 mikrogramë për metër kub, ndërsa në Kumanovë për më shumë se dy javë këto grimca ishin më shumë se 350.

Marketing

Sektori për Mbikëqyrje dhe Inspektim të Komunës së Kumanovës do të punojë në dy ndërrime për t’i kapur ndotësit e ajrit, ndërsa inspektimi komunal dhe ndërtimor do të punojë edhe në fundjavë, njoftoi inspektori për mjedis nga komuna e Kumanovës, Boban Bojkovski.

“Me anë të kësaj dua që të intensifikojmë kontaktin me vetë qytetarët, si dhe inspektimin në vend. Ftoj të gjithë qytetarët të lajmërojnë qytetarët e pa ndërgjegjshëm të cilët shkelin ligjet për ndotjen e ajrit. Në periudhën e ardhshme aksenti do të jetë mbi ata të cilët djegin mbeturinat dhe duke u bazuar në ligjet për mbrojtjen e mjedisit të gjithë ata të cilët do të kapen do të sanksionohen”, tha Bojkovski.
Kumanova ishte ndër vendet e para e cila praktikoi metodën e aerosolizimit e cila sipas profesorëve të bujqësisë dhe ekspertëve të tjerë tregoi rezultate të mira. Siç theksoi Bojkovski kjo metodë do të filloj të praktikohet përsëri nga sot në rrugët më të frekuentuara të Kumanovës, që sipas hulumtimeve rrugët më të ndotura ishin “Goce Delçev”, “Ilindenska”, “Revolucioni i Popullit”, dhe “Revolucioni i Tetorit”, ndërsa në bashkëpunim me MPB do të ketë mbikëqyrje në gjithë vendin për kapjen e ndotësve të ajrit.

Gjatë tre muajve të fundit, siç theksoi inspektori, u shqiptuan 27 dënime dhe 58 paralajmërime të ndotësve në qytet. Për djegien e mbeturinave do të shqiptohet gjobë prej 200 euro, ndërsa qytetarët mund ti lajmërojnë ndotësit e mjedisit në numrin e policisë, 192. Ajri në Kumanovë është i ndotur për 13 ditë me radhë. Nga administrata Hidro-Meteorologjike njoftuan se era do të fryjë nga nesër, e cila duhet të sjellë freski dhe të reduktojë ndotjen në lugina.

Marketing