Gjuha shqipe e lënë pasdore nga Komisioni Antikorrupsion

Komisioni për Antikorrupsion në Maqedoninë e Veriut tashmë ka edhe versionin shqip të ueb-faqes, por që nuk e ka përtërirë me lajme dhe informacione që nga fillimi i këtij muaji, shkruan Portalb.

Marketing

Më tej thuhet se “pavarësisht se në të ka vetëm një pjesë të dokumenteve në gjuhën shqipe, por jo të gjitha vendimet që merr ky organ gjatë seancave të saj apo dokumente të tjera, sërish duket një hap i mirë drejt zbatimit të ligjit të gjuhëve nga një institucion që ndëshkon dhe heton shkeljet e ligjeve veçanërisht në fushën e korrupsionit”.

Nga Antikorrupsioni vlerësojnë për Portalb se është i vështirë implementimi i ligjit të gjuhëve për aq kohë sa nuk ka përkthyes. Anëtari i Antikorrupsionit, Nuri Bajrami konsideron se përkthyesit janë kuadër deficitar, pasi sa herë që kanë shpallur konkurs për përkthyes ose nuk është paraqitur askush ose janë paraqitur një ose dy veta edhe ato nuk kanë ardhur në intervistë.

Në pyetjen nëse kanë pasur mbështetjen apo komunikim me Agjencinë për Zbatimin e Gjuhëve, Bajrami thotë se punën e deritanishme e kanë bërë vetëm me mbështetjen e OSBE-së, ndërsa me Agjencinë për Zbatimin e Gjuhëve kanë pasur komunikimi, por se kanë konsideruar se atëherë ata akoma kanë qenë në konsolidim.

“Kemi pas komunikim prej kur është adresuar tek ne kërkesa për implementimin e ligjit, prej në fillim të vitit të kaluar dhe kemi formuar grup pune dhe dalë-ngadalë kemi arritur të bëjmë këtë qe kemi bërë. E kemi informuar se në cilën fazë kemi arritur për implementimin e ligjit, por ata tek tani e formojnë Inspektoratin. Ne iu kemi thënë se brenda kohës që mund të kemi nevojë do t’ju drejtohemi, kaq ka qenë komunikimi, por unë i kam ditë rrethanat se nuk do të kemi prej atje ndonjë ndihmesë, pasi ata vetë ishin në konsolidim e sipër dhe jemi mbuluar me përkthim, përmes mundësive tona. Nuk zgjidhet puna e një institucioni me asistencën e tyre, pasi ata duhet të disponojnë aq shumë përkthyes sa të na i plotësojnë nevojat neve dhe institucioneve të tjera për ta implementuar ligjin”, shprehet Bajrami.

Ai fajin e drejton tek politika.

“Këto problematika duhet t’i adresohen politikës përpara institucioneve. Pasi është e lehtë të gjendet përgjigjja te institucioni pse nuk implementohet ky ligj. Para se ta sjellin ligjin askush nuk i ka bërë analizë paraprake se ku do t’i gjejnë përkthyesit dhe sa kushton e gjithë kjo. Partia në pushtet i la 10-11 vite njerëzit në shtëpi, thjeshtë ka mundur prej atyre të rekrutojë dhe ka pasur plot fonde. Të paktën të 1/3 e atyre të arrinte t’i bënte 500 përkthyes, t’i shpërndante nëpër institucione do ta kryente punën e vet”, thotë Bajrami për Portalb.

Sipas tij politika i ka futur hundët kudo dhe nuk vepron në drejtim të lehtësimit, por veç në drejtim të ngatërrimit të situatës dhe del përpara njerëzve, thotë e sollëm ligjin dhe në fund deklarojnë se nuk e zbatojnë institucionet.

“Përkthyesit kanë ardhur si kuadër deficitar, mund t’i barazosh me IT-të. Ato tani janë shumë të kërkueshëm, për arsye se kur do të vij një përkthyes me status të nëpunësit shtetëror dhe kur një institucion do t’ia vendose titullin e nëpunësit shtetëror bashkëpunëtor i ri, ai do marrë 21.000 denar. Nuk vjen për arsye se ai vetëm si “tezgaxhi” po të punojë do të fitojë shumë më shumë. Kemi ardhur në një situatë shumë problematike, përkthyes të mirë ta marrësh me 20 ose 25 mijë denarë nuk mund ta mbash në institucion, ndërsa sikur të ishin bërë gjithë ato përkthyes nuk do të punonin të gjithë në projekte, por një pjesë e madhe do të kishin qenë dakord të punojnë në institucione”.

Nga ana tjetër drejtori i Agjencisë për Zbatimin e gjuhëve Ylber Sela mohon të ketë mungesë përkthyesish dhe se Antikorrupsioni nuk ka pasur asnjë kontakt me Agjencinë.

“Përkthyes ka, por duhet të hapë konkurs ose të kontaktojnë Agjencinë, pastaj ne iu sugjerojmë që të paraqiten në konkurs. Ne i lekturojmë, nuk mund t’i përkthejmë çfarë kanë ato nëpër ueb-faqe, se Agjencia nuk është organ përkthyesish. Ne nuk kemi marrë deri sot kërkesë nga Antikorrupsioni që duhet t’i ndihmojmë, as nuk kemi pas takim”, shprehet Sela.

Marketing