Gjurmët e një bote tjetër gjenden në Hënë

Kërkuesit kanë zbuluar prova për një planet që u përplas mbi planetin tonë miliarda vjet më parë, para se të krijonte Hënën, satelitin natyror të Tokës. Analizat e shkëmbit hënor të sjellë në Tokë nga astronautët e misionit “Apollo”, tregojnë gjurmë të një “planeti”, të cilin shkencëtarët e quajnë Theia.

Marketing

Kërkuesit pretendojnë se zbulimi konfirmon teorinë që thotë se Hëna u krijua nga një përplasje kataklizmike mbi Tokë. Studimi u publikua në gazetën “Science”.

Teoria e pranuar gjerësisht që nga vitet 1980 është se Hëna u ngrit si pasojë e një përplasjeje mes Tokës dhe një planeti të quajtur Theia, rreth 4.5 miliardë vjet më parë. Planeti imagjinar u quajt Theia dhe thuhej se ishte nëna e Selenës, Perëndesha e Hënës. Besohet se ky planet u shpërbë pas përplasjes me Tokën, ndërsa mbetjet që u krijuan nga përplasja u bashkuan në atë që u bë Hëna.

Ky është shpjegimi më i thjeshtë dhe përputhet me disa simulime kompjuterike. Problemi i vetëm deri tani ishte se askush nuk ka gjetur prova për ekzistencën e Theias në kampionët e shkëmbinjve hënorë të kapur nga njeriu.

Analizat e mëhershme kanë sugjeruar se shkëmbi hënor e ka origjinën tërësisht nga Toka, ndërsa simulimet kompjuterike kanë sugjeruar se Hëna duhet të jetë krijuar nga Theia.

Tashmë analiza më të thella mbi shkëmbin hënor zbuluan grimca që besohet se kanë origjinë aliene. Gjithsesi, materiali i huaj i zbuluar pati dallime shumë të vogla nga shkëmbinjtë e tokës.

Marketing