Gjykata e Strasburgut me masë për Maqedoninë, ngrin vendimet për rastin e Hind Albolukit

Ndonëse 42 vjeçarja Hind Alboluki pohon se është kërcënuar nga familja e saj, për shkak se ka kërkuar divorc, kësaj shtetaseje të Emirateve të Bashkuara Arabe, Ministria e Brendshme ia refuzoi kërkesën për azil në Maqedoni. Vendimi u ankimua por Gjykata Administrative dhe ajo e Lartë vendosën në favor të refuzimit të azilit.

Marketing

Ndonëse institucionet tona vendosën në kohë rekord për fatin e Albolukit, vendimet e tyre tashmë janë ngrirë nga Gjykata e Strasburgut për të Drejtat e Njeriut. Nga Ministria e Drejtësisë pa folur me emër konkret se për cilin rast bëhet fjalë, na thanë se më 6 shkurt u ka arritur njoftim nga Gjykata e Strasburgut për masën e përkohshme kundër Maqedonisë.

“Masa e përkohshme në thelb nënkupton që shteti duhet të përmbahet nga marrja e masave të përkohshme ndaj aplikuesit. Për shembull, kjo domethënë se masa e përkohshme është ndalim, për shembull i deportimit i një personi të caktuar jashtë kufijve të Republikës së Maqedonisë” tha për TV21 Danica Xhonova nga Byroja për përfaqësim të Maqedonisë në Gjykatën e Strasburgut.

Masat e përkohshme janë të llojeve dhe kohëzgjatjeve të ndryshme, sqaron Xhonova. Sipas saj tani për tani Gjykata e Strasburgut pret që Maqedonia t’u përgjigjet disa pyetjeve për rastin në fjalë e më pas të vendosë nëse masën e shqiptuar do ta tërheqë ose do ta vazhdojë me afate të reja.
“Se deri kur do të zgjasë masa e përkohshme dhe se ç ‘lloj mase do të jetë, është kompetencë vetëm e Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut.

Ajo që na takon neve si shtet është që masën e shqiptuar ta respektojmë, sepse mosrespektimi i saj, veçanërisht nëse nuk kemi arsye të justifikuara se pse s’kemi vepruar sipas asaj mase, në vetvete përbën shkelje të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut” tha Xhonova.
Byrosë që e përfaqëson Maqedoninë në Gjykatën e Strasburgut ende nuk i ka arritur aplikimi i palës që është ankuar, megjithatë ajo pritet të arrijë së shpejti, pasi që ende rrjedhin afatet që pala mbrojtëse të dorëzojë aplikimin në Strasburg.

Arsyeja se përse rasti ka ardhur deri tek kjo masë e përkohshme e Gjykatës së Strasburgut është kjo:
Hind Alboluki në tetor 2018 ka kërkuar azil Në Maqeodoni. Pohon se familja po e përndjek, madje edhe se do ta vrasin, por edhe krahas kësaj, Sektori për Azil pranë MPB-së ia rezuzoi azilin.

Arsyetimi që japin nga kabineti i Spasovskit është se nuk ekziston bazë se ajo po përndiqet dhe nuk ekzistojnë arsye që të besohet se nëse ajo kthehet në Emiratet Arabe, do të përballet me rrezik real si pasojë e lëndimeve serioze. Përveç se i refuzuan azilin, me kërkesë të Sektorit për Azil, më 7 dhjetor 2018 kërkon që asaj t’i kufizohet lëvizja e lirë. Si pasojë nga dhjetori 2018 Alboluki është vendosur në Qendrën për të Huaj në Gazi Babë. Arsyeja e vetme për këtë vendim gjendet në një dokument të firmosur nga vetë Ministri i Brendshme Spasovski e ku thuhet se:

“Vlerësohet se është e domosdoshme që të jepet masa e kufizimit të lëvizjes së lirë për shkak të mbrojtjes së rendit publik ose sigurisë kombëtare, në periudhë prej 3 muajsh, nga dita e dorëzimit të këtij Vendimi”.
Se ç’rrezik paraqet Alboluki për sigurinë kombëtare detaje nuk nuk jepen.

Hindit i është caktuar që të rrijë 3 muaj në Qendrën e të Huajve në Gazi Babë, por nga ana tjetër asaj i është thënë se deri më 19 shkurt duhet që vullnetarisht ta lëshojë Republikën e Maqedonisë. Është e paqartë se si ajo mund ta zbatojë këtë vendim të shqiptuar, kur në fakt është e mbyllur në Qendrën për të Huaj. Nëse ajo vetë nuk e lëshon Maqedoninë brenda këtij afati, organet tona mund që ta deportojnë direkt drejt Dubait, ku ajo ka frikë të kthehet.

Një jurist që merret me rastin e saj, në kushte anonimati, na tha se kjo është katastrofë juridike. Drejtuesja e Komitetit të Helsinkit në Shkup Urania Pirovska dje deklaroi se asaj personalisht rasti i duket i dyshimtë dhe se konsideron se ekzistojnë ndikime të ndryshme në këtë rast.