Gjykata Kushtetuese pezullon dekretin e Thaçit për qeverinë

Gjykata Kushtetuese në Kosovë ka vendosur në favor të kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje për të pezulluar zbatimin e dekretit të presidentit Hashim Thaçi deri më 29 maj, derisa të shqyrtojë lëndën e dërguar nga kjo parti, lidhur me kushtetutshmërinë e vendimit të presidentit.

Marketing

“Gjykatën Kushtetuese me shumicë votash, vendosi: Të miratojë masën e përkohshme në kohëzgjatje deri më 29 maj 2020, nga data e nxjerrjes së këtij vendimi si dhe të pezullojë menjëherë zbatimin e dekretit të presidentit të Republikës së Kosovës , nr. 24/2020, të datës 30 prill 2020, në kohëzgjatje të përcaktuar në pikën një të këtij diapozitivi”, është thënë në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se do ta respektojë vendimin e së premtes të Gjykatës Kushtetuese.

“Kosova ka tashmë një përvojë të çmueshme në respektimin e të gjitha vendimeve dhe aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese. Kjo përvojë është një dëshmi e fuqishme e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës”, ka thënë Thaçi përmes një postimi në rrjetin social, Facebook.

Sapo u njoftova për vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Si President i Republikës së Kosovës do ta…

Publiée par Hashim Thaçi sur Vendredi 1 mai 2020

Ai po ashtu u ka bërë thirrje të gjitha politikanëve dhe subjekteve politike që të sillen me maturi në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Presidenti Thaçi më 30 prill ka njoftuar se ka dekretuar kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hotin, për postin e kryeministrit të Kosovës.

Menjëherë pas kësaj, Lëvizja Vetëvendosje i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Thaçit dhe duke kërkuar vendosjen e masës së përkohshme për pezullimin e zbatimit të dekretit.Njoftimi për dekretimin e Hotit erdhi pasi presidenti Thaçi më 22 prill, konstatoi se Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, 2019, nuk e kishte shfrytëzuar mundësinë kushtetuese për propozimin e mandatarit, andaj këtë të drejtë ia kaloi LDK-së, si partia e dytë më së shumti vota në zgjedhjet e fundit.

Kurti dhe presidenti Thaci kanë këmbyer një varg letrash, në të cilat Thaçi i ka kërkuar liderit të Vetëvendosjes, Kurtit, emrin e kandidatit të ri për kryeministër.

Kurti në anën tjetër ka thënë se nuk po refuzon dërgimin e emrit të ri, ndonëse ka thënë se ai dhe partia e tij janë në favor të mbajtjes së zgjedhjeve, pas përfundimit të pandemisë së koronavirusit.

Marketing