Gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Penale në Shkup ka sjellur vendim që të ngrijë pronat e disa personave juridik të cilët janë nën hetime nga Prokuroria Speciale në lëndën “Banka Postare”.

Sipas Makfaks, janë ngrirë patundshmëritë e të dyshuarit Ratko Dimitrovski dhe Tome Gllavçev “Noel eksport-import – Gjevgjeli” dhe shtypshkronja “Evropa 92 – Koçani”. Vendimi është sjellur mbrëmë, ndërsa të njëjtat objekte nuk mund të shiten ose jepen me qira, përcjell Telegrafi Maqedoni. PSP gjithashtu ka kërkuar paraburgim për ish-kryetarin e Koçanit dhe pronarin e shtypshkronjës “Evropa 92” Tome Gllavçev dhe për të dyshuarit tjerë, ndërsa ky propozim është refuzuar nga gjykata. Në vend të paraburgimit gjykatësi ka vendosur masa përkujdesi ndaj të dyshuarve, gjegjësisht marrje të pasaportës dhe paraqitje të rregullt në gjykatë.

Përndryshe, lënda “Banka Postare” është hetim financiar i PSP-së, në të cilën të dyshuar janë nëntë persona për keqpërdorime financiare, larje parash dhe vepra tjera penale.

Në këtë hetim të përfshirë janë Kolle Smillevski, Tome Gllavçev, Ratko Dimitrevski, Vikica Popovski, Georgi Karatollis, Kirill Janevski, Zoranço Mitrovski, Risto Millev dhe Zllatko Gjorçev.