Lidhur me informatat e palëve të cilët veprojnë në lëndët e Prokurorisë Speciale Publike, ndërsa të cilët udhëhiqen para Gjykatës Penale, për mosharmonizim, caktim tejet të shpeshtë të gjykimeve ose stërzgjatjes së lëndëve të caktuara, nga Gjykata thonë se gjykatësit në tërësi i respektojnë të drejtat e palëve, si në këto lëndë ashtu edhe në lëndë të tjera.

“Me angazhim të madh bëhen orare precize dhe të harmonizuara të caktimit të seancave kryesore me qëllim që të mundësohet kohë e mjaftueshme që të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre në mënyrë cilësore ta përgatisin mbrojtjen e tyre, denjësisht të respektohet parimi i barazisë së mjeteve juridike dhe e drejta e gjykimit në kohë racionale”, thuhet në kumtesën e Gjykatës Penale.

Nga atje theksojnë se nuk mund të shmanget fakti se një pjesë e të akuzuarve, sipas aktakuzave të dorëzuara të PSP-së, paraqiten si të akuzuar në më shumë lëndë, ndërsa vetëm një nga të akuzuarit është përfshirë në pesë lëndë të ndryshme dhe në këtë kuptim nuk mund të caktohet debat kryesor në të njëjtën ditë.

“Problem plotësues është që një pjesë më e madhe e të akuzuarve kanë nga dy ose më shumë mbrojtës, madje për këtë arsye gjatë caktimit të debateve i kushtohet vëmendje asaj që në gjykim të jetë i pranishëm të paktën një nga mbrojtësit të cilët i përfaqësojnë të akuzuarit”, thonë nga Gjykata.
Lidhur me informatat se për disa lëndë të PSP-së nuk caktohen seanca të mjaftueshme, nga Gjykata Penale theksojnë se vetëm gjatë shtatorit të vitit 2018, nga 20 ditë pune, në 19 prej tyre janë caktuar seanca për 16 lëndë të ndryshme për të cilat vepron Prokuroria Speciale Publike, ndërsa njëherësh datat janë harmonizuar me çka u mundësohet kohë e mjaftueshme mbrojtësve që të përgatiten.

“Vlen të përmendet se nga dhjetori i vitit të kaluar deri më sot janë shqiptuar edhe katër aktgjykime për lëndët e PSP-së që është tregues evident se nuk ka kurrfarë ngecje në dinamikën e veprimit”, thuhet në kumtesën e Gjykatës.
Gjykatësit në Gjykatën Penale në këtë moment po punojnë edhe në 1.633 lëndë të tjera në Sektorin penal për të rritur dhe 126 lëndë të tjera në sektorin për Krim të organizuar dhe korrupsion, midis të cilëve edhe lëndë me mbi 30 të akuzuar prej të cilëve një pjesë janë në paraburgim, dhe këto lëndë nuk mund të anashkalohen për llogari të të tjerëve.