Gjykata Supreme ia zhbllokon Trumpit 2.5 miliardë dollarë për murin kufitar

Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ia ka hapur rrugën ligjore Shtëpisë së Bardhë për t’i shfrytëzuar 2.5 miliardë nga buxheti i Pentagonit për ndërtimin e murit në kufi me Meksikën.

Marketing

Vendimi i kësaj gjykate ia lejon administratës së Trumpit ridestinimin e rreth 2.5 miliardë dollarëve, shumë e cila më parë është miratuar nga Kongresi për Pentagonin. Këto mjete do të përdoren për ndërtimin e murit në kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Amerikës, ndonëse shumica e ligjvënësve e kishin kundërshtuar këtë projekt.

Kabineti i presidentit Trump ka planifikuar që t’i shpenzojë 2.5 miliardë dollarë në katër kontrata për zëvendësim të rrethojës së tanishme në Arizona, Kaliforni dhe Nju Meksiko me rrethojë më të fortë.

Pesë gjykatësit konservatorë të Gjykatës Supreme morën vendim për ta bllokuar vendimin e gjykatave më të ulëta për t’ia ndaluar presidentit përdorimin e të hollave në kontrata për ndërtimin e murit me arsyetimin se Kongresi nuk ka saktësuar se paratë duhet të shpenzohen saktësisht për këtë qëllim. Kundër vendimit ishin katër gjykatës liberalë, por ai u miratua me shumicë prej pesë votash.

Vendimin e Gjykatës Supreme e ka përshëndetur presidenti amerikan, Donald Trump, i cili përmes një postimi në Twitter ka thënë se ky vendim është një fitore e madhe për sigurinë kufitare dhe sundimin e ligjit, shkruan “The Guardian”.