Gjykata urdhëron gruan e kthyer nga Siria ta heq mbulesën gjatë seancës

E akuzuara për veprën penale organizimi dhe pjesëmarrja në grupin terrorist, Florinda Zymeri, është deklaruar e pafajshme, në seancën fillestare të mbajtur të premten në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.Ajo po akuzohet se në gusht të vitit 2014 me dëshirë të plotë, përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, ka udhëtuar për në Stamboll të Turqisë, me qëllim që pastaj të udhëtonte drejt Irakut dhe Sirisë, për t’u bashkuar me organizatën terroriste “ISIS”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Marketing

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Habibe Salihi, e akuzuara ka mohuar në tërësi fajësinë për veprën që i ngarkohej.

“Nuk e ndi veten fajtore. Jam e pafajshme”, ka thënë ajo.

Pas deklarimit të të akuzuarës lidhur me fajësinë, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Valbona Selimaj ka njoftuar atë se brenda 30 ditësh mund të bëjë kundërshtimin e provave dhe të paraqes kërkesë për hedhje të aktakuzës.

Për kundërshtimet eventuale që mund të ushtrohen, gjykatësja Selimaj tha se do të merr vendim të veçantë jashtë seancës gjyqësore.

Gjykatësja Selimaj, ka njoftuar palët se për seancën e radhës ata do të ftohen me ftesa të rregullta, pasi aktakuza të merr formën e prerë.

Me rastin e identifikimit të personalitetit të të akuzuarës, gjykatësja Selimaj, ka kërkuar që e njëjta ta largojë përkohësisht mbulesën e fytyrës dhe e akuzuara ka vepruar sipas urdhrit të gjykatës.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 19 nëntor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Florinda Zymeri, për shkak të veprës penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, nga neni 143, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës së ngritur nga PSRK-ja, ajo akuzohet se më 23 gusht 2014, me dëshirë të plotë, me vetëdije përmes aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, ka lëshuar vendbanimin e saj të përhershëm në Republikën e Kosovës, për të vazhduar fluturimin për në qytetin e Stambollit të Republikës së Turqisë.

PSRK-ja pretendon se këto veprime janë ndërmarrë nga e akuzuara, me qëllim që përmes territorit të Republikës së Turqisë ajo të udhëtojë në Irak dhe Siri, me qëllim që t’i bashkëngjitet organizatës terroriste “ISIS”, e cila ishte duke luftuar dhe shkaktuar akte dhune nga maltretimet e gjerë te vrasjet në këto shtete, organizatë kjo e shpallur terroriste nga OKB-ja.

Ndryshe, e akuzuara bënë pjesë në grupin e grave të riatdhesuara nga Siria, më 24 prill të këtij viti.