Azilanti Nikolla Gruegvski do të gjykohet në mungesë edhe për lëndën “Titanik”. Gjykatësi Osman Shabani vendosi pro kërkesës së Prokurorisë Speciale Publike për gjykim në mungesë, ndërsa hodhi poshtë kërkesën e palës mbrojtëse që të ndahet procedura për Gruevskin. Në një nga bombat e lëshuara sot në seancën gjyqësore u dëgjua se si ish ministrja e brendshme Gordana Jankullovska në bisedë telefonike i thotë ish ministrit të transportit Mile Janakievski se për shkak të korrupsionit, VMRO DPMNE-ja ka humbur Komunën Qendër.

“E di se çfarë na ka mashtruar në Qendër, korrupsioni. Qendra është komunë intelektualësh, nuk është Jegunovc”, tha Gordana Jankullovska.

“Definitivisht nuk mundet, e kemi humbur edhe Debar Maallo dhe Kapishtecin, njëjtë si herën e kaluar”, tha Mile Janakieski.

Jankullovska më tej thotë se duhet të merren vesh edhe me BDI-në për prishjen e votimit nëse ekziston ndonjë mundësi tjetër e votimit. Mile Janakievski ditën e zgjedhjeve ka bërë edhe shumë telefonata të tjera me disa persona të ndryshëm ku dëgjohej se kryente kontroll për nivelin e daljes në votim të të punësuarve në institucione shtetërore dhe të firmave private që kanë bashkëpunuar me qeverisjes e kaluar. Ai në një nga bisedat përmend edhe të punësuarit e firmës së Orçe Kamçev “Orka Holding” të cilët nuk kanë dal për të votuar.