Gjykimi për fatkeqësinë në Llaskarcë, familjet e viktimave kërkojnë dëmshpërblim

Me deklarimet e avokatëve të palëve të dëmtuara ka vazhduar gjykimi për ngjarjen tragjike në autostradën Shkup – Tetovë në afërsi të fshatit Llaskarcë.Para trupit gjykues mbrojtja dhe familjarët deklaruan se i bashkëngjiten aktakuzës për ndjekje dhe se në procedurë civile do të kërkojnë dëmshpërblim për humbjen e familjarëve të tyre dhe të lënduarit në këtë rast. Avokati i një pjese të familjarëve të viktimave, Vlladimir Nikollovski, gjatë kërkesës për dëmshpërblim nuk i arsyetoi keqardhjet e të akuzuarve për tastin, pasi që, sipas tij, kjo humbje nuk mund të zëvendësohet.

Marketing

“Gjatë shprehjes së ngushëllimeve, ata iu drejtuan Këshillit Penal dhe jo familjarëve të viktimave apo të lënduarve. Unë kam humbur një vëlla, një shok, një mik dhe një dhëndër. Këto humbje askush nuk mundet tua zëvendësojë familjarëve. Këto familje nuk janë më të njëjta e as që do të jenë”,- tha Nikollovski.

Ndërkohë, avokati i pronarit të “Durmo Turs”, Delo Kadiev, thotë se prokuroria nuk do të ketë dëshmi të mjaftueshme për të vërtetuar fajësinë.

“Të gjithë të akuzuarit deklaruan se nuk ndjehen fajtorë, kështu që i mbetet prokurorisë të dëshmojë teorinë e saj në këtë rast se me të vërtet ekziston faj për secilin nga të akuzuarit. Si avokat i të akuzuarit të parë, Durmish Belulit, nuk mund të pranoj se tek ai ka pasur faj, pasi që deklarata e tij ishte e tillë. Ne jemi të qëndrimit se Prokuroria Publike në fund të shqyrtimit nuk do të ketë dëshmi të mjaftueshme me të cilat do të ngarkohej i akuzuari Beluli. Dëshmia e Durmish Belulit e dhënë në hetuesi para Prokurorisë është në qëndrimit se edhe vet ai dëshiron të dihet e vërteta dhe arsyeja për atë se çka ka ndodhur”,- deklaroi avokati mbrojtës, Delo Kadiev.

Gjykatësja, Dijana Gruevska, paralajmëroi se në seancën e radhës do të dëshmojnë familjarët e viktimave dhe të mbijetuarit e aksidentit. Për këtë rast të akuzuar janë 6 persona, në mesin e të cilëve pronari i Kompanisë “Durmo Turs”, shoferi i autobusit dhe të punësuar në stacionin teknik në pronësi të pronarit të “Durmo Turs”, Durmish Belulit.

Aksidenti tragjik, ku humbën jetën 16 persona, ndodhi në shkurt të këtij viti. Seanca e radhës është caktuar për më 18 tetor.