Gjyqtarë shumë, lëndë të zgjidhura pak!

Revidim të kuadrit të prokurorëve dhe gjyqtarëve, si dhe strategji të menjëhershme për menaxhimin e resurseve njerëzore dhe përmirësimin e politikave kadrovike, ishin pjesë e rekomandimeve të raportit vjetor të Misionit për trajnimin e gjykatësve dhe prokurorëve publik. Mungesa e gjyqtarëve dhe prokurorëve shpeshherë në opinion është theksuar si problem kryesor për drejtësinë e ngadaltë, proceset e stërzgjatura gjyqësore dhe lëndët gjyqësore pa epilog, shkruan gazeta KOHA.

Një pjesë e madhe e gjykatave ankohen për mungesën e kuadrit të mjaftueshëm, ndërsa e ngjashme është gjendja edhe me prokurorinë. Në Prokurorin publike kërkohet që të ketë 251 prokuror publik, ndërsa për momentin ka vetëm se 176 prokurorë. Sa i përket administratës, sipas sistematizimit, është planifikuar që të ketë gjithsej 1.130 të punësuar, nga të cilët janë plotësuar vetëm se 356 vende, që është për 774 vende më pak nga punësimet e planifikuara. Sipas Strategjisë për reforma të Ministrisë së Drejtësisë për periudhën 2017 deri në vitin 2022, numri i gjyqtarëve për kokë banori në vend është më i madh sesa në vendet anëtare të Bashkimit Evropian, kështu që numri i gjyqtarëve nga 550 pritet që të zvogëlohet në 500, duke ndjekur strategjinë e gjyqësorit dhe zvogëlimin eventual të numrit të gjykatave. E njëjtat strategji do të përdoret edhe për revidimin e gjendjes në prokurori.

“Efikasiteti i gjyqësorit është prioritet për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), gjegjësisht përfundimin me sukses të kapitullit 23. Kjo është një kohë kritike për gjyqësorin në Maqedoni i cili gjendet midis një procesi të një reforme të madhe, e cila është parashikuar në Strategji si katalizator i një ndryshimi pozitiv. Në këtë kontekst strategjia parasheh rritjen e efikasitetit të gjykatave, nëpërmjet ndryshimit të legjislativit të pushtetit gjyqësor dhe riorganizimin e gjykatave, që është një mënyrë më civilizuese sesa rizgjedhja e gjykatësve aktual. Riorganizimi i gjykatave nënkupton rritjen e përgjegjësive dhe pushimin së punuarit të gjykatave më të vogla në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, deklaroi për gazetën KOHA, Andrej Bozhinovski, këshilltar juridik. Sipas tij, shtetet të cilat kanë gjykata të pavarura kanë pasur sukses në ndërtimin dhe avancimin e demokacive të brendshme, ekonomikeve të tyre etj.

Nga ana tjetër, Shpëtim Pollozhani, kryetar i Shoqatës së ish të burgosurve politik shqiptar në Maqedoni, thotë se gjyqësori është hallka më e dobët e këtij shteti pasi me mosfunksionimin e gjyqësorit përvidhet krimi në politikë dhe në ekonomi.

“Nuk ka hair nga një gjyqësor, anëtarët e të cilit delegohen nga partitë politike, dhe, si rezultat i kemi mijëra vepra penale të bllokuara në prokurori dhe nëpër gjykata deri sa të skadojë afati i atyre akuzave. Kemi shumë raste kur gjykatës nga gjykatat administrative lokale katapultohen deri në Gjykatën e Apelit, Këshillin të Lartë Gjyqësor dhe në instancat e tjera të institucioneve të drejtësisë. Niveli i ulët profesional dhe etik i shumë gjykatësve bën që shumë lëndë të dalin me sukses në Gjyqin për te Drejtat e Njeriut në Strazburg dhe shteti të paguajë dëmshpërblime të mëdha për vendimet politik, në dëm të qytetarëve. Numri i madh i gjyqtarëve në vend dhe mijëra lëndë të pazgjidhura dëshmon se cilësia nuk varet nga sasia – numri i gjyqtarëve”, theksoi Pollozhani për gazetën KOHA. Ndërsa, Natali Petrovska nga Koalicioni “Të gjithë për gjykim të drejt”, thekson se është i vërtet konstatimi se në Republikën e Maqedonisë së Veriut numri i gjyqtarëve për kokë banori është më i madh krahasuar me vendet e BE-së, si dhe fakti se efikasiteti i gjykatave është nën mesataren e vendeve të BE-së.

“Në këtë drejtim, me rëndësi është të theksohet se performansa e gjykatave nuk varet vetëm nga gjyqtarët, por edhe nga përgatitja e tyre teknike, ekipimi, përgatitja, trajnimi etj. Strategjia e Ministrisë së Drejtësisë konstaton numër më të madh të gjykatësve nga mesatarja e vendeve të BE-së, por edhe buxhet dukshëm më të vogël nga mesatarja evropiane që vetvetiu është paradoksale. Pikërisht në këtë drejtim është edhe tendenca për të pushuar së punuari të disa nga gjykatat më të vogla, si dhe zvogëlimi i numrit të gjyqtarëve”, deklaroi për KOHA, Petrovska. Megjithatë, siç tha ajo, me rëndësi është që të ndiqen hapat të cilat kanë të bëjnë me rritjen e buxhetit për gjykatat, si dhe të bëhet vlerësim i drejtë për ndarjen e të njëjtit, në pajtueshmëri me nevojat e gjykatave, duke i pasur parasysh resurset njerëzore dhe vëllimin e punës.

Sipas njohësve të zhvillimeve në sistemin e drejtësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, shteti dhe liderët politik duhet të investojnë më shumë nga vetja e tyre në Strategjinë për riorganizimin e gjyqësorit, që të përmirësohen kapacitetet e prokurorisë në luftën kundër krimit.

evn